Papa, udhëheqësve botërorë: Mos i fajësoni emigrantët për problemet tuaja
Papa Françesku ka dënuar udhëheqësit nacionalistë të cilët kanë fajësuar emigrantët për problemet në vendet e tyre, pasi, siç ka thënë ai janë vetë ata që po nxisin mosbesimet në shoqëri përmes fitimeve të pandershme dhe politikave ksenofobike dhe raciste.
Papa, 82-vjeçar, i cili iu doli në mbrojtje emigrantëve gjatë gjithë papatit të tij, i ka bërë këto komente në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes të Kishës Katolike.
Në këtë drejtim, Papa u ka dërguar letër krerëve të shteteve dhe qeverive si dhe organizatave ndërkombëtare.
Mesazhi i Papës vjen në kohën kur emigracioni është një nga çështjet më të diskutueshme në vende të ndryshme si: Shtetet e Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Hungaria.
“Adresimet politike që tentojnë të fajësojnë emigrantët për çdo të keqe dhe privojnë shpresën nga të varfërit, janë të papranueshme” ka shkruar Papa në letër, por nuk ka përmendur konkretisht ndonjë vend apo udhëheqës.
Ai ka thënë se në kohët e sotme “po shënojnë një klimë të mosbesimit e rrënjosur në frikën ndaj të tjerëve ose të huajve, ose ankthit për sigurinë personale”.
Papa Françesku ka thënë se është i trishtuar se ky mosbesim gjendet “gjithashtu në nivelin politik, në qëndrimet e refuzimit dhe format e nacionalizmit të cilat po vënë në pikëpyetje vëllazërinë, për të cilën bota jonë e globalizuar ka aq shumë nevojë”.