Paparaci: Biseda telefonike mes shefit të BIA-s dhe një personi, tregojnë si e çuan Thaçin dhe Veselin në Hagë
Shefi për Kosovë i Agjencisë serbe të Inteligjencës së Sigurisë (BIA), Bojan Dimiq është implikuar në procesin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së të cilët po gjykohen për krime të supozuara të luftës në Hagë.
Paparaci, ka siguruar një audio-incizim që dëshmon përfshirjen e hiç më pak se zyrtarit të lartë shërbimit sekret serb në këtë proces gjyqësor.
Dimiq, një nga udhëheqësit e lartë të BIA-s serbe, flet për dëshmitarë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në një bisedë telefonike me një person shqiptar, i cili në këtë audio-incizim prezantohet si personit ‘X’ (Paparaci është në dijeni për identitetin e personit ‘X’).
Biseda telefonike mes Dimiqit dhe personit ‘X’ është realizuar pak ditë pas shkuarjes së Thaçit dhe Veselit në Hagë. Ajo është e gjatë rreth katër minuta, raporton Paparaci.
Dimiq dëgjohet duke e biseduar me personin ‘X’ shkuarjen e Thaçit dhe Veselit në Hagë.
“Këta udhëtarë për Hagë, ashtu po i depërtojnë, nuk di çfarë po mendoni”, i thotë Dimiq, shqiptarit nga Kosova në fillim të bisedës, i cili e falënderon zyrtarin e shërbimit serb.
“Dhe, ju falënderoj edhe juve për bashkëpunim”, ia kthen personi X.
“S’ka përse, po mundohemi dhe po shkojnë tutje me këtë intensitet, dhe kështu, shkojmë tutje”, ndërhyn Dimiq.
Ata, flasin edhe për Titon dhe vdekjen e tij. Kujtojnë kohën kur kanë qarë për vdekjen e udhëheqësit jugosllav, për të vazhduar bisedën me kode për Thaçin dhe Veselin, duke thënë se kanë shkuar “në të zezë” për të mos u kthyer më.
“Atje akomodimi nuk është i keq”, thotë Dimiq.
“Batanijen ia kam blerë unë, a e ke dëgjuar ti këtë, edhe batanijen edhe gjithçka, do të kënaqet atje”, ndërhyn personi X.
Sipas shefit të BIA-s për Kosovën, Thaçi do të bëjë vetëvrasje sikurse gjenerali kroat i cili kishte pirë helmin pas shpalljes së dënimit nga Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavi, Slobodan Praljak.
“A e di kur një kroat është vetëvrarë, kur e piu atë helmin”… Po si quhej ai… edhe aty e kanë bërë atë foto, afër tij në anën e tij të majtë Hashim Thaçi në të djathtë Kadri Veseli”, vazhdon Dimiq.
“Edhe ata po përgatiten për helm, e kupton… unë për tallje e kam qitë atë foto në Facebook me komentin: Le të përgatiten Kadriu dhe Hashimi, kupton”.
Dimiq tregon se kanë dërguar materiale të shumta në Hagë, me të cilat sipas tij, janë vërtetuar nëpërmjet atyre materialeve.
“Po kemi dhënë, mjaft gjëra kemi dhënë, shumë kemi vërtetuar nëpërmes të materialit të fundit që kemi dërguar”, shton ai.
Personi X nuk është i kënaqur me kaq. Insiston se mungon edhe diçka.
“Po, po, por po mungon edhe diçka, vëlla, mungon edhe diçka”, shton X, ndërkohë që Dimiq i thotë ta përgatis ai për ta dërguar në fund të javës.
“Përgatite ti edhe diçka çfarë mungon dhe unë do të mundohem ta zgjidhë këtë deri në fund të javës dhe”, i thotë Dimiq, personit X.
“A, kjo do të ishte super, kjo do të ishte super, së paku deri në fund të javës së ardhshme të kenë atje, kjo do të ishte super”, entuziazmohet personi X.
“Unë mendoj se ata mendojnë shumë më tepër, sa i përket komunikimit, pra”, përfundon biseda me këtë konstatim të Bojan Dimiqit.
Dimiq është njëri nga udhëheqësit e lartë të shërbimit sekret serb BIA.
Ai ka jetuar në Prishtinë një kohë të gjatë, kurse pas vitit 1999, ka shkuar në Beograd ku ka vazhduar karrierën si një serb i privilegjuar i regjimit të Slobodan Milosheviqit.
Media serbe “Ricochet Special”, në vitin 2019, ka shkruar se Bojan Dimiq, është operativi i parë i Aleksandar Vuçiqit. Aty thuhet se Dimiq është pjesë e strukturës drejtuese edhe të klubit të futbollit “Crvena Zvezda”, vend që ka shërbyer si strehë e shumë kriminelëve serbë, si Arkani dhe të tjerë.
Dimiq Ka filluar karrierën në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror serb (SDB, paraardhëse e BIA-s) për Kosovë në vitin 1998, si shifrues. Atë e ka punësuar në shërbimin sekret serb daja i tij, i cili edhe vet punonte aty, Mishko Lakoviq”, ka shkruar “Ricochet Special”.
Ai është i njohur si “shef de facto” i shumë liderëve të Listës Serbe në Kosovë. Sipas rrjeteve sociale të tyre, udhëheqës të Listës Serbe pëlqejnë fotografitë e Dimiqit në rrjete sociale.
Bojan Dimiq, jeton në një shtëpi luksoze në Beograd, të cilën e kishte blerë babai i tij, Vlladimir Dimiq, i cili ka qenë drejtor i dhunshëm në Prishtinë i kompanisë publike banesore.
Madje, për këtë, ai është akuzuar edhe për keqpërdorimin e kohës së privatizimit të banesave publike (në vitet e ’90-ta).