Papunësia në Eurozonë bie në nivelin më të ulët në një dekadë
31 gusht 2018
| 14:41
Papunësia në Eurozonë ka rënë në nivelin më të ulët që nga faza më akute e krizës financiare botërore, një dekadë më parë.
Agjencia për statistika e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka bërë me dije të premten se norma e papunësisë në korrik ka qenë 8.2 për qind.
Shifra është më e ulëta qysh në nëntor të vitit 2008, kur papunësia ka marrë hov pas kolapsimit të bankës së investimeve në ShBA, Lehman Brothers.
Papunësia ka arritur kulmin prej 12.1 për qind në vitin 2013, kur kriza, së paku për Eurozonën, është shndërruar në krizë të borxhit qeveritar, e përqendruar kryesisht në Greqi.
Eurostat ka theksuar se 16.82 milionë njerëz kanë qenë të papunë në Eurozonë në muajin korrik, 82 000 më pak se muajin paraprak.