Papunësisë në tremujorin e dytë afër 30 për qind

17 shtator 2018 | 15:52

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e dytë (TM2) 2018. Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 462 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.4 për qind.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e dytë (TM2) 2018 është 28.5 për qind.

Punësimi më i lartë është të meshkujt (44.8 për qind), ndërsa punësimi të femrat është 12.0 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.8 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 41.5 për qind.

Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8 për qind; arsimi me 11.7 për qind, ndërtimtaria me 11.6 për qind; si dhe prodhimi me 9.5 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 20.4 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 79.6 për qind  kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2018, shkalla e papunësisë është 29.4 për qind.

Papunësia më e theksuar është të femrat me 30.6 për qind, krahasuar me meshkujt, 29.1 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është të grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.0 për qind.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.6 për qind, me fokus të veçantë të femrat me 82.6 për qind, krahasuar me meshkujt 36.9 për qind.

Për realizimin e AFP-së TM2 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e Kampionëve do të fillojë këtë javë dhe klubet…