Papuqi: E dua Evropën me Gjilanin
Dalja në garat ndërkombëtare me skuadrën e Gjilanit e ka shtyrë mbrojtësin Fisnik Papuqi t’i refuzojë ofertat e tjera për të mbetur edhe një vit pjesë e kësaj skuadre.
Mbrojtësi me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Fisnik Papuqi, ka vazhduar edhe për një vit tjetër marrëveshjen me skuadrën e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar vetë mbrojtësi pejan të dielën për “Epokën e re”. “Kam pasur oferta interesante, por vendosa të vazhdoj me Gjilanin. Korrektësia e kryesisë dhe përvoja e mirë njëvjeçare me këtë klub më kanë shtyrë të mos ndryshoj skuadër”, ka thënë fillimisht Papuqi.
Ishte pritur që mbrojtësi të rikthehet te Besa e Pejës, por ai vendosi të mbetet në skuadrën e Gjilanit me synimet e mëdha për daljen në garat ndërkombëtare. “Synimet e mia dhe të klubit janë të njëjta: dalja në garat ndërkombëtare. Pas largimeve të shumë futbollistëve shtabi teknik dhe kryesia janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme për krijimin e një skuadre shumë të fortë për edicionin e ri. Besoj se Gjilani do të jetë një skuadër shumë më e fortë se në kampionatin e kaluar”, ka thënë Papuqi.
Skuadra e Gjilanit në këtë afat kalimtar ka pësuar shumë ndryshime, ku disa nga lojtarët kryesorë janë larguar nga klubi. Mbrojtësit Armend Thaqi dhe Leotrim Bekteshi e kanë përforcuar Prishtinën, kurse ylli i sulmit, Betim Haxhimusa, iu bashkua rivales lokale, Dritës.
Nga skuadra janë larguar edhe Diar Mustafa dhe disa lojtarë të tjerë. Mirëpo kryesia e klubit nuk ka qëndruar duarkryq dhe ka angazhuar fillimisht trajnerin me përvojë të madhe, Sadat Pajazitin, kurse më pas angazhoi edhe futbollistët: Vilfor Hysa, Jefferson Lopes, Ledjon Muçaj, Armend Halili, Ansi Nika, Brunild Pepa, Endrien Magani dhe Lucas Marcos Meireles. Gjilani në edicionin e fundit pati paraqitje të mira, por fati në disa raste nuk ishte në anën e tyre dhe ky klub kampionatin elitar e mbylli në pozitën e tetë me 46 pikë.
(Veton ZYMBERI)