Papuqi: Moszhvillimi i asnjë ndeshje zyrtare për Kosovën, pengu më i madh në karrierë
Mbrojtësi legjendar i Besës së Pejës, Finsik Papuqi, ka fituar shumë tituj në futbollin e Kosovës, por pengun më të madh e ka që nuk ka mundur të bëjë asnjë ndeshje zyrtare me Përfaqësuesen e Kosovës.
Futbollisti Fisnik Papuqi është një nga lojtarët më të mirë në futbollin e pasluftës, kurse edhe sukseset që ka arritur ky futbollist janë të shumta. “Fisi” filloi të merret me futboll qysh në moshën tetëvjeçare, kurse debutim e ka bërë në moshën 17-vjeçare në ndeshjen Trepça ’89 – Besa, nën drejtimin e trajnerit tashme të ndjerë Tahir Vokshi. Papuqi për “Epokën e re” ka thënë se momentet më të mira i kaluar në Besën e Pejës, por edhe në skuadrën e Vëllaznimit dhe Hysit kishte kaluar momente që nuk do t’i harrojë gjatë gjithë jetës së tij. “Normalisht se momentet më të mira i kam kaluar në skuadrën e Besës në vitet e arta të kësaj skuadre 2002-2007. Momente të mira dhe të paharrueshme kam pasur edhe në Klubin e Vëllaznimit dhe te Hysi. Me skuadrën e Vëllanzimit e kemi fituar Kupën, por më ka mbetur merak që e humbëm titullin dhe qyteti i Gjakovës meriton shumë në futboll, pasi jeton me Vëllaznimin. Ndërsa në skuadrën e Hysit kemi kujtime të mira, pasi e kemi fituar titullin e kampionit dhe shoqëria ka qenë shumë e mirë”, ka thënë Papuqi.
Mbrojtësi Fisnik Papuqi nuk është anëtari i vetëm i familjes që ka luajtur futboll, pasi me sukses të njëjtën gjë e ka bërë edhe vëllai i tij më i vogël, Florenti. “Fisi” ka treguar për gazetë se është një kënaqësi e madhe kur luan në një klub së bashku me vëlla, pasi edhe rezultati nuk mungon. “Është një ndjenjë e mirë që të luash me vëllanë në një klub, por edhe në një repart. Me Florentin ka qenë lehtë të luash sepse ka qenë lojtar shumë inteligjent edhe për atë arsye ta ka lehtësuar mjaft shumë punën. Normalisht se kur kuptohesh del edhe i suksesshëm”, ka treguar Papuqi.
Në ndeshjen miqësore në mes të përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë, Fisnik Papuqi ka qenë një nga lojtarët që ka treguar formën më të mirë dhe pas ndeshjes trajneri i atëhershëm i kombëtares kuqezi, Gianni De Biasi, e kishte lavdëruar mbrojtësin pejan. “Ndeshja Kosovë – Shqipëri ishte një ndër ndeshjet më emocionale në përfaqësuese që e kam luajtur dhe kam kujtime të paharruara në përfaqësuese. Kur është bërë pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA, unë kisha një moshë të lartë dhe e dija se më nuk mund të kontribuojë në përfaqësuese dhe është mëkat që mbas gjithë atyre viteve të suksesshme nuk mund të paraqitem në një ndeshje zyrtare për Kosovën, por kështu e ka futbolli”, ka thënë Papuqi.
Skuadra e Besës së Pejës, ku Papuqi është zhvilluar si futbollist dhe arriti t’i fitojë të gjitha trofetë e mundshëm në futbollin e Kosovës, është duke kaluar një krizë të thellë. Kjo skuadër tash po bënë gara në Ligën e Parë dhe do ta ketë vështirë rikthimin në elitë për edicionin e ardhshëm, por Papuqi shpreson se ditët e mira për ish-klubin të vijnë sa më shpejt të jetë e mundur. “Do Zoti që Besa ta kalojë krizën sa ma shpejt dhe të rikthehet aty ku e ka vendin, sepse ky klub dhe qyteti i Pejës nuk e meritojnë këtë gjendje”, ka shtuar ai.
Pavarësisht prej moshës, Fisnik Papuqi nuk është duke planifikuar të pensionohet nga futbolli. Ai ka bërë me dije se nuk mund ta parashohë veten jashtë lojës së futbollit. “Jam afër të mbush 36 vjeç dhe po ndihem shumë mirë momentalisht, kurse edhe sa do të luaj nuk e di, për faktin se e kam të vështirë që ta largohem nga loja e futbollit”, ka shtuar mbrojtësi Papuqi, i cili, së bashku me Haxhi Zekën, Fisnik Gashin, Ilir Nallbanin, Fetim Kasapi, Valmir Bytyqi e të tjerë, cilësohen si gjenerata e artë e klubit pejan. “Unë mbaj kontakte të vazhdueshme me gjithë shokët e gjeneratës që kemi qenë në ato vite të arta për ne dhe klubin”, ka përfunduar Papuqi. /Veton ZYMBERI/