Paqarada i bashkohet St. Paulit
Mbrojtësi i Kosovës në futboll, Leart Paqarada i është bashkuar St. Paulit në Bundesliga 2 nga SV Sandhausen, për një shumë prej gati 1 milion euro.
Pas gjashtë vjetëve qëndrimi në SV Sandhausen në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, Paqarada ka kaluar në St. Pauli duke nënshkruar kontratë trevjeçare.
St. Pauli, i cili bën gara në Bundesliga 2 po ashtu, njoftoi në uebsajtin e vet se 25-vjeçari kosovar i lindur në Bremen ka nënshkruar marrëveshje e cila do ta mbajë në klub deri më 30 qershor 2023. St. Paulit i ka kushtuar Paqarada 800 mijë euro.
“Gjatë bisedimeve me drejtuesit, ata më vlerësuan lart dhe treguan që kanë besim në mua. Ky klub është me traditë dhe i njohur për atmosferë të veçantë dhe me tifozë madhështorë. Jam i lumtur që tani jam pjesë e St. Pauli dhe mund ta bëj një hap të ri në karrierën tim”, ka thënë Paqarada për uebsajtin e klubit gjerman.