Paqartësi në Presidencën e Bosnjës në lidhje me njohjen e Kosovës

16 tetor 2020 | 12:09

Një mbledhje e Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës ka krijuar paqartësi në lidhje me shqyrtimin e njohjes së Kosovës nga ana e Bosnjës.

Pas mbledhjes së mbajtur më 15 tetor, anëtarët e presidencës trepalëshe kanë mbajtur ndaras konferenca për media, duke shprehur qëndrime të ndryshme.

Anëtarët e presidencës, Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq, thanë se nuk kishte vendim për çështjen e njohjes së Kosovës, ndërsa anëtari tjetër, Millorad Dodik, pretendon se anëtarët e Presidencës, gjatë takimit, kanë refuzuar njohjen e Kosovës.

Xhaferoviq theksoi se nuk ka asnjë vendim për Kosovën në Bosnje dhe Hercegovinë, derisa të arrihet një konsensus, dhe se në ftesën për mbajtjen e takimit ai nuk e ka vendosur si pikë të rendit të ditës shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Ai tha se anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq, e tërhoqi atë pikë nga rendi i ditës.

“Dodik këmbënguli që ajo të jetë në rendin e ditës, Komshiq e tërhoqi atë pikë nga rendi i ditës, dhe pastaj Dodik kërkoi një votë për të, edhe pse pika ishte tërhequr. Nuk kishte asgjë për të votuar”, ka thënë Xhaferoviq, duke shtuar se në fund, Dodik votoi kundër, ndërsa Komshiq dhe ai nuk votuan fare.

Nga ana tjetër, Dodik pretendon se anëtarët e presidencës refuzuan ta njohin Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës sërish në mungesë të kuorumit ka dështuar…