“Paqe” në derbin e Madridit
Mbyllet në barazim 1-1 derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos, me dy gola që u shënuan në harkun e katër minutave në fillimin e pjesës së dytë.
Atletico mbetet në vendin e dytë të La Liga, me katër pikë më shumë se Real i vendit të tretë, por plot 11 pikë pas Barcelonës, që fitoi 3-1 ndaj Leganes, të shtunën në mbrëmje dhe marshon drejt titullit kampion.
Pas pjesës së parë që u mbyll pa gola, Cristiano Ronaldo kaloi në avantazh Real në “Bernabeu”, pas krosimit të Gareth Bale, duke realizuar golin e 23-të në këtë kampionat, gjashtë më pak se golashënuesi më i mirë Lionel Messi.
Por i pabesueshëm është fakti që Ronaldo ka shënuar në të dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë për një total të pabesueshëm prej 20 golash në këto takime. (24 gola në 13 ndeshjet e fundit). Gjithsesi, avantazhi i “Los Blancos” zgjati vetëm katër minuta, pasi francezi Antonie Griezmann vuri baraspeshën për të besuarit e Simeone. me rezultat 1-1 përfundoi ndeshja derbi e La Ligës. (Telesport)