Paqja e imponuar, humbje strategjike e perëndimit dhe pasojat për sigurinë globale

06 mars 2025 | 16:04

Shkruan: Hisen Berisha

Ndërprerja e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe reagimi i Kremlinit, i cili e përshëndeti këtë si një mundësi që Kievi të kërkojë paqe, sjellin një dimension të ri në dinamikën globale të sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë lëvizje, vendet perëndimore, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, duken sikur po tërhiqen përballë Rusisë, duke rrezikuar të vendosin një precedent të rrezikshëm. Nëse drejtësia ndërkombëtare ndahet në favor të më të fortit, atëherë kjo nënkupton shtypjen e të dobëtit dhe legjitimimin e agresionit si mjet për të imponuar paqen. Një skenar i tillë jo vetëm që cenon Ukrainën, por gjithashtu mbjell farën e konflikteve të ardhshme dhe e bën luftën një instrument të pranueshëm për ndryshimin e kufijve dhe dominimin e shteteve më të vogla. Shqetësues për të drejtën ndërkombëtare mbetet fakti se po standardizohet agresioni si mjet për të imponuar paqen.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara me tërheqjen nga mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe shtyjnë drejtë një marrëveshje paqeje të karakterit ekonomik, duke i bërë të ditur presidentit ukrainas, jo mjaftueshëm të mençur, se armët janë zgjidhja fatale, Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa të pakthyeshëm në drejtim të mbështetjes ushtarake për Kievin dhe forcimit të industrisë së mbrojtjes në kontinentin e vjetër.
Programi “Riarmatosja e Europës” dhe ndarja e miliarda eurove për zhvillimin e industrisë së luftës dhe furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake tregojnë një përpjekje të BE-së për të mbushur boshllëkun e krijuar nga tërheqja e SHBA-së. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vendet e BE-së do të arrijnë të mbajnë këtë angazhim pa përkeqësuar marrëdhëniet me administratën e ardhshme të Trump, e cila ka sinjalizuar qartë një ndryshim strategjik në qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe rolit të SHBA-së në NATO.

Në këtë pikë, një pyetje thelbësore është se çfarë roli do të marrë NATO, si garancë kryesore e sigurisë për Evropën, veçanërisht duke pasur parasysh se SHBA ka rolin kyç në aleancë. A do të rritet përgjegjësia dhe angazhimi i fuqive të tjera të NATO-s si Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe shtetet kryesore të BE-së për të mbajtur ekuilibrin strategjik në Evropë?
Nëse SHBA redukton rolin e saj në mbrojtjen evropiane dhe i jep prioritet marrëveshjeve bilaterale me rivalët strategjikë si Rusia, atëherë kjo do të thotë se marrëdhëniet transatlantike do të hyjnë në një epokë të re pasigurie, ku Evropa do të duhet të gjejë mekanizma të rinj për mbrojtjen e saj.

Konstatimi më i thjeshtë i kësaj situate është se Perëndimi po humb “luftën e tretë” ndaj Rusisë, në fushëbetejën e Ukrainës, duke lejuar që Moska të vendosë rregulla të reja gjeopolitike në dëm të shteteve të vogla. Një pasojë edhe më e rrezikshme është se kjo mund të imponojë rishikimin e rrethanave politike ndërkombëtare dhe statusit të shteteve të reja në proces, tashmë të konfirmuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë siç është rasti i Kosovës.

Kjo do të nënkuptonte se garancitë ndërkombëtare të dhëna për shtetet dhe territoret që kanë fituar njohje ndërkombëtare mund të zhvlerësohen, duke krijuar një klimë të re pasigurie dhe duke i bërë këto shtete të cenueshme ndaj presioneve të mëdha gjeopolitike.
Ky precedent do të kishte pasoja të gjera për shumë kriza të pazgjidhura në botë.
Serbia mund të ndjejë se ka hapësirë për të imponuar një zgjidhje ndaj Kosovës, apo për të avancuar projektet e saj në Federatën e Bosnjës përmes Republikës Serbe.

Po ashtu, Kina mund ta shohë këtë si një model për veprimet e saj ndaj Tajvanit, duke përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kontroll mbi ishullin përmes një presioni të ngjashëm ushtarak dhe diplomatik.
Përveç këtyre rasteve, situata analoge mund të shfaqen në rajone të tjera të botës, ku konflikte të ngrira mund të riaktivizohen dhe të çojnë në ndryshime të imponuara të kufijve apo statusit politik të territoreve. Nëse vendimmarrja ndërkombëtare nuk garanton një strategji të qartë për të mbrojtur shtetet që ndodhen përreth Rusisë, atëherë rreziku që vende të tjera të ndajnë fatin e Ukrainës bëhet gjithnjë e më real.

Për Kosovën, ky zhvillim përbën një sfidë serioze, pasi nëse Perëndimi e pranon një “paqë të imponuar” për Ukrainën, atëherë rrezikon të bëhet presion për kompromise edhe në çështjen e Kosovës.
Serbia, e inkurajuar nga situata globale, mund të tentojë të forcojë pozitat e saj, duke kërkuar një marrëveshje që do të favorizonte interesat e saj në dëm të sovranitetit të Kosovës. Në këtë kontekst, roli i garancive ndërkombëtare dhe përfshirja e SHBA-së do të jenë kyçe për të siguruar që Kosova të mos bëhet viktimë e një skenari të ngjashëm me atë që po i imponohet Ukrainës. Kjo frikë ka dimension real pasi që kryeministri aktual i Kosovës ka mbajtur një relacion të tensionuar me administratën amerikane duke u implikuar edhe në fushatën elektorale të SHBA-ve për president.

Prandaj, dorëzimi i Perëndimit në emër të një “paqes së imponuar” nga Rusia nuk është thjesht një humbje për Ukrainën, por një rrezik i drejtpërdrejtë për të gjithë arkitekturën e sigurisë globale dhe për të gjitha shtetet që mbështeten në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Nëse një marrëveshje e tillë nuk përfshin garanci të qarta për Ukrainën dhe shtetet e tjera që ndodhen në vijën e parë të rrezikut, atëherë ajo nuk do të sjellë paqe afatgjatë, por vetëm do të përshpejtojë një epokë të re të konflikteve të ngrira dhe pasigurisë gjeopolitike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA I. Nga premtimet në realitetin…