Para dhe pas referendumit
Shkruan: Iljasa Salihu
Referendumi në Maqedoni që kishte për qëllim përligjjen e Marrëveshjes së Prespës dhe mes tjerash matjen e forcave partiake, nuk ishte as i nevojshëm dhe as i detyrueshme, ndaj edhe në fund doli të jetë i dështueshëm. Mirëpo, trimëria e paarsyeshme e qeverisë së Zaevit, me sy të ballë lejoi harxhime të kota dhe u shoqërua me një rezultat jo të mirë për atë dhe strategët e tij. Sidoqoftë, ajo që ndodhi nuk mund të kthehet më, por prej saj mund të mësohet, kuptohet nëse dëshirohet.
Fushata për referendumin filloi pikërisht në kohën kur fushat e malet po digjeshin si furrë, por si rrjedhojë e mpirjes mendore pas fushatës së referendumit, fushat, pyjet, zjarrin dhe tymin ata që do të duhej t’i shihnin nuk i panë fare dhe për rrjedhojë zjarrit i ngeli ta djeg edhe fijen e fundit të barit për të përfunduar pastaj edhe ai, paçka se mjedisi dukshëm u tymos e insekte të shumta u dogjën, duke e ulur kështu cilësinë e vetë tokës dhe natyrës në përgjithësi.
Fushata ngjante me një fushatë të rëndomtë zgjedhore, ku nuk ishte me rëndësi se çfarë thuhej, por patjetër të thuhet diçka, ku dërdëllitjet shiten më lehtë se diamantet. Mes tjerash, aty zëshëm dhe qartë u tha se qytetarët gjenden pa alternativë. Ndonëse, harruan se aty ku thuhet se nuk ka alternativë tjetër, aty nuk ka demokraci. Prandaj, në mungesë të demokracisë, habitem se pse me çdo kusht duan ta pyesin qytetarin dhe paraprakisht t’i thonë se nuk keni alternativë tjetër. E mira e të mirës do të ishte të mos zgjatej rruga e integrimit.
Qytetarët edhe ashtu nuk shkaktojnë probleme të mëdha në shtet. Shumë mynxyra i ndodhën, sërish politikanët mbajtën në nivel ngrohtësinë e kolltukut. Meqë, qytetarët janë kundër izolimit, atëherë nuk e di se pse politikanët jua zgjasin rrugën e integrimit?
Po ashtu, nuk u përjashtuan edhe fjalët që vetë politikanët i zhvishnin veten. Ata thanë se nëse kalon referendumi, do të bëhet mirë. Shumë mirë që vetë politikanët të cilët vite me radhë udhëhoqën me këtë shtet e përgënjeshtruan vetveten. Na patën lodhur duke i varguar sukseset e tyre dhe tani krejt në fund thanë se do të bëhet mirë, pra me fjalë të tjera po thonë se ishte keq, por tani do të bëhet mirë. Derisa e ndiqje fushatën, qoftë edhe sipërfaqësisht, ngaqë të thelloheshe nuk ia vlente, nuk kishte mundësi të mos shihej vargmali i kundërthënieve. Na flisnin me emfazë për vlerat e NATO-s dhe BE-së pikërisht ata që nuk qenë në gjendje të paktën as mbeturinat përskaj rrugëve t’i largonin!
Nuk vonoi shumë kur u pa se dështoi referendumi, edhe pse me çdo kusht qeveritarët dhe ndërkombëtarët mëtuan ta paraqesin të suksesshëm. Vetëm 36 për qind e qytetarëve kishin dalë për të votuar. Dalja e qytetarëve larg pragut ishte. Sërish askush nuk u skuq, aq më tepër të merrte përgjegjësi, edhe pse dështimi i referendumit do të duhej të ishte një grusht dhè në varrin e politikanëve, të cilët krimet e tyre u munduan t’i mbulojnë me fjalë të mëdha!
Erdhi koha që fjalët e mëdha t’i ballafaqojmë me rezultatin e dalë nga referendumi. Më 1 tetor si u ndjenë ata që thanë se më 30 shtator vendoset për ardhmërinë, përcaktohet vija ndarëse mes Rusisë dhe Amerikës dhe në rast se dështon referendumi vihet në pikëpyetje shteti? Në sajë të fushatës bajate, pyesim, tani kush fitoi, Amerika apo Rusia? Kështu ndodh kur njeriu flet 10 herë dhe mezi mendon nja gjysmë here!
Assesi të pranohet realiteti. Pavarësisht mosarritjes së pragut, mbase as për së afërmi, qeveritarët me çdo kusht duan ta paraqesin arritje të madhe fushatën dhe rezultatin e referendumit. S’ke si mos ta sjellësh një shembull përmes së cilit lehtas dhe kuptueshëm do t’ia rrëzosh dënglat e tyre. Fjala vjen, pragu i kalimit të provimit është 51 pikë, kishte thënë profesori. Jo me 36 pikë, por as me 49 pikë nuk mund ta kaloni provimin, sërish foli profesori. Mirëpo, meqë studenti e njihte mirë dekanin, kishte arritur që edhe me 36 pikë ta kalojë provimin, madje duke e mëtuar veten si shumë të suksesshëm. Prej 5 pyetjeve gjithsej, vetëm në njërën ishte përgjigjur, edhe atë tepër mirë e saktë. 4 tjerat as që i kishte shikuar. Ujë e kishte bërë pyetjen e parë dhe me të drejtë krenohej me këtë përgjigje, mirëpo kishte harruar i gjori se edhe 4 pyetje të tjera e prisnin.
Megjithëkëtë, krejt në fund doli që pak rëndësi kishte se çfarë thanë qytetarët në referendum, me rëndësi ishte se çfarë thanë qeveritarët e ndërkombëtarët. Ndaj, habitem se pse në emër të demokracisë plastelinë kishte nevojë të harxhoheshin milionat për një tallje me qytetarët. Fundja, në këtë rravgim vlerash, milionat ishte mirë të ruheshin për blerjen e deputetëve tani në fazën e ndryshimeve kushtetuese!