Para Ministrisë së Kulturës bëhen homazhe për Rexhepagiqin
Para objektit të Ministrisë së Kulturës janë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së këngëtares, kompozitores dhe gazetares, Violeta Rexhepagiqi, raporton EO.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me stafin e ministrisë ka nderuar këngëtaren Violeta Rexhepagi, për të cilën tha se do të mbetet figura e artit dhe e kulturës në Kosovë dhe me gjerë.
Dumoshi shtoi se për shkak të pandemisë nuk kanë pasur mundësi të realizojnë një ceremoni më dinjitoze. “Ne sot si ministri në këtë kohë pandemie kujtojmë ikonën dhe grupin ‘Vivien’ i cili në atë kohë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me mënyrën e vet. Violeta është njohur si vajzë e jashtëzakonshme me zërin e saj dhe dukjen dhe u ka dhënë mesazh vajzave dhe grave të reja që duhet t’i thyejnë te gjitha tabut dhe të depërtojnë. Si ministri kemi menduar se sado në këtë formë, ta kujtojmë veprën e saj e cila përkatësisht do të mbetet një emër për artin dhe kulturën e Kosovës dhe më gjerë. Sot kemi vendosur fotografinë e saj dhe do t’i dëgjojmë 39 këngët e saj. Ngushëlloj të gjithë kolegët e saj dhe familjen e saj. Ne do t’i rrimë pranë që, sadopak, ta ngushëllojmë në këtë kohë pandemie pasi nuk ka formë tjetër”, tha Dumoshi.
Për shkak të rrethanave të pandemisë, është paraparë që në këtë mënyrë të organizohet homazhi ceremonial për këngëtaren, kompozitoren e gazetaren Violeta Rexhepagiqi.
Violeta Rexhepagiqi për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet në grupin e muzikës moderne të kohës “Vivien” rreth vitit 1984. Gjatë asaj kohe ajo përfaqësoi dy herë Kosovën në përzgjidhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Evrovizionit”.