
Para ndeshjes me PSG-në, përplasen Alexander-Arnoldi dhe Salahu
Dy nga yjet e Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold dhe Mohamed Salah, patën një përplasje të fortë në stërvitjen para ndeshjes vendimtare të Ligës së Kampionëve mes ‘The Reds’ dhe PSG-së këtë të martë, në “Anfield”.
Në pamjet e publikuara nga ‘Hayters TV’, shihet sesi ata përplasen dhe më pas debatojnë ashpër. Alexander-Arnold duartroket dhe i bën disa gjeste egjiptianit Salah, ndërsa ‘Faraoni’ e sfidon me një gisht të ngritur dhe vazhdon diskutimin. Dy shokë të skuadrës, Elliott dhe Konate, ndërhyjnë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Mbrojtësi i djathtë dhe sulmuesi i krahut të djathtë janë dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Liverpool-it. Interesante është se asnjëri prej tyre nuk ka rinovuar ende kontratën, pavarësisht se ajo skadon më 30 qershor.