Para se të vinte Tito në Kosovë, filloi një fushatë e egër e arrestimeve dhe burgosjeve të studentëve
Shkruan: Shemsi Syla
Për demonstratat e vitit 1981 gjer më sot janë dhënë mendime dhe vlerësime të shumta në aspekte dhe rrafshe të ndryshme. Unë sot në përvjetorin 40-të do të shfrytëzoja rastin të përqendrohesha në një rrafsh tjetër, për të dhënë sado pak një ndriçim më të drejtpërdrejtë të atmosferës së krijuar para shpërthimit të demonstratave. Meqë kam qenë bartës i atij aktiviteti edhe e kam jetuar atë atmosferë.
Ne, si botë e të rinjve të asaj kohe ishim të etur për çdo lloj të diturisë, por mbi të gjitha, mbi diturinë për shoqërinë, historinë, politikën, filozofinë, ekonominë etj. Gjithnjë duke shkuar në atë drejtim i cili do të na ndihmonte në njohjen e vetvetes. Ndihmesë të madhe po na jepte koha, momenti në të cilin po jetonim. Ishte dekada e katërt e një regjimi antipopullor, antishqiptar, që po e ndrydhte qenien tonë. Shenjat e para të një lëkundjeje, të një shthurjeje po vëreheshin. Analitikët e kohës po jepnin prognozat se çfarë do të ndodhte pas vdekjes së Titos, kreatorit të krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi, “parajsë e popujve”.
Ethet e një lëkundjeje kishin filluar t’i zënë edhe njerëzit, që ishin pranë të sëmurit. Ata jepnin lloj – lloj parashikimesh të cilat ne kishim mundësi t’i lexonim vetëm në shtypin ilegal të kohës. Pra, krahas mediumeve të huaja botërore, shtypi ilegal i kohës kryente misionin e informimit, propagandimit dhe pasqyrimit të drejtë e real. Faqet e këtij shtypi ishin përplot me materiale, që pasqyronin drejt gjendjen në të cilën ndodheshim. Ai lexohej me ëndje dhe bartej banesë më banesë nga entuziastë dhe veprimtarë ilegal, por edhe nga simpatizues të flaktë të kauzës sonë. Materialet që mbushnin faqet e shtypit ilegal ishin një analizë dhe pasqyrim objektiv i aktualitetit. Gazetat ilegale por edhe materialet tjera ishin burimi ynë kryesor i njohjes së gjendjes reale. Ato ishin, me një fjalë, frymëzimi kryesor për ta zgjuar e diku edhe krijuar vetëdijen kombëtare. Përmbajtjet e materialeve ishin, thjesht, një kushtrim për të gjithë ne se si duhet shpalosur gjokset në luftë kundër shfrytëzimit të egër sllav.
Krahas leximit dhe përcjelljes së materialeve ilegale, në dhomat tona ku banonim, si në konvikte, por edhe në podrumet e ftohta të shtëpive private, zhvilloheshin dhe trajtoheshin tema për çështjet më vitale për kombin. Aty analizoheshin dhe komentoheshin mendimet e idetë e shumta. Bisedat sa ishin unike në mendime po aq ishin të llojllojshme në rrugët e veprimit për të arritur deri te realizimi i kërkesave. Krahas shtypit ilegal, frymëzimi i rinisë ndihmohej në masë të konsiderueshme edhe nga puna e madhe që bëhej në të gjitha fushat në legalitet.
Viti 1978, viti i njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bëri një kthesë radikale në plan të konsolidimit të programit kombëtar. Aktiviteti programatik që u zhvillua në Shqipëri dhe në Kosovë, lidhur me shtrirjen dhe dimensionin e kësaj lëvizjeje gjithëshqiptare nuk mund të mbetet vetëm brenda konturave historike. Atëbotë, ndërgjegjja kombëtare po përjetonte një rilindje të vërtetë, një moment vendimtar për të parashtruar sërish kërkesat me një program kombëtar. Një periudhë të veçantë, po ashtu të rëndësishme, paraqet periudha kur në Jugosllavi mbretëronte njëfarë liberalizmi dhe kur marrëdhëniet me Shqipërinë kishin përparuar në shumë anë. Ndikimi kulturor që vinte nga Shqipëria, pastaj literatura në gjuhën shqipe, bashkëpunimi vëllazëror në arsim, kulturë, shkencë, hapën kapitullin më të rëndësishëm në zgjimin e ndërgjegjes e të vetëdijes kombëtare.
Vështirë ishte të gjendej sallë në Kosovë që përballonte numrin e madh të të interesuarve per t’i ndjekur koncertet nga ansamblet kulturore, të dramës dhe të grupeve folklorike nga Shqipëria. Në këto momente krijohej një atmosferë e zjarrtë dhe përplot emocione. Vështirë ishte të futeshin edhe të gjithë ata të interesuar dhe sportdashës në stadiumet anekënd Kosovës për t’i përcjellur ndeshjet sportive me klubet e ardhura nga Shqipëria. Brohoritjet dhe jehona e këngëve zinin qiellin. Nuk kishte sallë të teatrit në Kosovë që mund t’i zinte kosovarët e përmallur për të parë pjesët teatrore të përgatitura nga vëllezërit e tyre matanë kufirit. Për këtë, trupat teatrore detyroheshin t’i reprizonin shfaqjet e tyre edhe nga dy e tri herë, por prapë dikush mbetej pa përjetuar atë kënaqësi. Ky efekt ishte jo më pak i theksuar edhe në paraqitjet e shpeshta të ekspozitave të artit figurativ, si pikturë, skulpturë etj.
***
Po atë ditë, para se të vinte për vizitë Titoja në Kosovë, u shpërnda trakti që jepte hollësi rreth kësaj vizite. Dihej se viti 1979 ishte vit në të cilin kishte filluar një fushatë e egër e arrestimeve dhe burgosjeve të rinisë studentore dhe profesorëve të shkollave të mesme, dhe se shtypi i huaj mbushte faqet rreth këtyre masave shtypëse të Beogradit. Sigurisht se ky ishte njëri nga shumë pretekstet që e kishin shtyrë atë të bëjë këtë vizitë, përfshirë edhe për t’ua lënë të bindurve të tij në kreun politik të Kosovës, amanetin e fundit se duhet ta ruajnë vëllazërim – bashkimin dhe unitetin në bashkësinë jugosllave. Në mesin e studentëve ishte krijuar një situatë tejet e rëndë dhe vëreheshin shenjat e një shpërthimi. Udhëheqësit politik kosovarë e vërejtën këtë gjë fort mirë, kështu në ditën e ardhjes së Titos në Kosovë ishin të përgatitur. Vetë fakti se Tito kaloi me veturë të mbyllur dhe me shpejtësi të paparë, jep të kuptohet se Tito ishte i paralajmëruar se mund të kishte rreziqe. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si dhe punëtorët e fabrikave që kishin dalë ta pritnin, gjithnjë me urdhrat e dikujt, mbetën të indinjuar dhe shtronin pyetjen: Erdhi apo nuk erdhi kryetari? Se, vërtet ata nuk e kishin pare fare.
Edhe pas kësaj vizite, gjendja në Kosovë mbeti e nderë. Udhëheqësia më e lartë e vendit nuk qante kokën për dështimet në ekonomi dhe për katandisjen edhe më të mjerë të popullit. Mbeti i mashtruar populli shqiptar i Kosovës nga thëniet dhe betimet e udhëheqësisë së Kosovës se kushtetuta e 74-ës ishte zgjidhje e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar në ish-RSFJ. Që në fillim të zbatimit të kësaj kushtetute u vërejt se nuk zbatoheshin edhe ato të drejta bazë që garantoheshin me atë kushtetutë. Madje, në disa sfera, si të ekonomisë, politikës e kulturës as që flitej se duheshin zbatuar.
Ekonomia dështoi që në fillim, sepse kreditë e ndryshme nga fondet (si ai për zhvillim të vendeve jo mjaft të zhvilluara, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, kreditë nga Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim) nuk ishin shfrytëzuar fare apo në disa raste kishte një shfrytëzim simbolik. Edhe pse këto mjete nuk u ndanë në mënyrë të drejtë për Kosovën, e keqja ishte se edhe ato mjete që siguroheshin nga burime të brendshme u shfrytëzuan në mënyrën më të egër për plotësimin e fondeve të ndryshme jugosllave. Shkalla e zhvillimit të ulët të ekonomisë në njërën anë, dhe zhvillimi i lartë demografik në anën tjetër, krijonte papunësi gjithnjë e më të madhe. Pastaj, duke ekzistuar dëshira e madhe e rinisë kosovare për t’u arsimuar, por edhe duke pasur parasysh (pa)mundësinë që kjo rini të punësohet, brenda një kohe shumë të shkurtër u dyfishua numri i nxënësve por edhe i studentëve. Kjo rritje kaq e shpejtë e numrit të të aftëve për punë u bë barrë e rëndë për ekonominë kosovare. Për një analizë reale të gjendjes nuk e qante kokën askush nga kreu i atëhershëm i ndonjë organi apo institucioni, përveç rasteve të izoluara individuale të atyre që merreshin me studime shkencore apo ligjëronin në seminare të ndryshme për vlerësimin e nevojave për zhvillimin e Kosovës. Studiuesit e tillë filluan të keqkuptohen e në disa raste edhe sulmoheshin për shkak të paraqitjes reale të rrethanave. Në këtë kohë kur punësimi stagnoi, filloi të bie standardi i popullsisë e më së shumti u godit klasa punëtore dhe fshatarësia si dhe studentët. Ndihej mungesa e madhe e artikujve më elementarë për jetë. Pakënaqësitë ndiheshin gjithkund. Nëpër ndërmarrje vërehej një kundërshtim i hapur ndaj gjendjes së krijuar. Një kundërshtim të tillë, të hapur e rezistues, kush do ta bënte tjetër pos rinisë studentore e cila në ato momente jetonte në atmosferën e frymëzimit dhe të zgjimit të ndërgjegjes që në anën tjetër përjetonte edhe peshën e padrejtësive më të paskrupullta të një regjimi antipopullor dhe antikombëtar.
***
Dihet mirëfilli se bartës i të gjitha revolucioneve në botë ishte rinia dhe klasa më e shtypur. Paraqitjet e hapura të pakënaqësisë së rinisë dhe mospërfillja e jo gatishmëria e strukturave shoqëroro – politike të kohës për të hyrë në negociata rreth kërkesave të rinisë shkaktuan një ndarje të thellë dhe një hasmëri të pa përshkruar. Kjo rini studentore, që i takonte kryesisht Universitetit të Prishtinës, disa prej tyre ishin bursistë të këtij universiteti, doli në ballë të këtyre kërkesave, që ishin kërkesa të logjikshme dhe nuk kërkonin asgjë më shumë se sa atë që e kishin kolegët e tyre në universitetet tjera të ish- RSFJ-së. Tani gjithnjë e më hapur, më me guxim kërkonin përgjegjje në shumë pyetje:
– Pse studentët e Beogradit, Novi Sadit, Shkupit etj., të kenë privilegje më të mëdha se ne?
– A nuk jetojmë në një bashkësi me ta?
– Pse të mos i marrim edhe ne bursat dhe kreditë studentore në lartësinë në të cilat i marrin studentët e universiteteve tjera?
– Pse ne të mos kemi banesa e konvikte të mjaftueshme kur kolegët tanë banonin në komfor?
– Pse ushqimi që e hamë ne të mos jetë kualitativ si ai i atyre në universitete tjera?
Vështirë ishte të përgjigjeshin por as që donte dikush të përgjigjej.
***
Ishte viti ’80. Gjendja shkonte gjithnjë duke u acaruar. Jeta ishte bërë e padurueshme. Drejtoria e Qendrës së Studentëve dhe organet tjera, në vend që të bënin diçka për përmirësimin e kushteve, bënë gabimin më të madh, kur në fund të marsit ngritën çmimet e ushqimit dhe banimit në qendër. Ky vendim shkaktoi pakënaqësinë më të madhe gjer atëherë. Për disa ditë rresht, grupe studentësh, nëpër dhoma konviktesh e nëpër banesa, temë bisede kishin vetëm këtë veprim. Kishte shumë mendime dhe shumë ide se si duhej shprehur pakënaqësia, lidhur me këtë veprim të Drejtorisë së Qendrës Studentore. Dominoi mendimi që të ftoheshin sa më shumë studentë dhe me organizim të protestohej hapur para organeve përgjegjëse për këtë çështje. Kështu edhe u bë. Në mbrëmje të 31 marsit, një grup studentësh në konviktin nr.3, formuan këshillin organizativ të protestës dhe me marrëveshje të të gjithëve vendosëm që më, 1 prill 1980, në orët e mesditës të ftonim studentët për të protestuar në Qendër të Studentëve.
Të nesërmen ashtu edhe vepruam. Ftuam studentët për të protestuar në Qendrën e Studentëve edhe disa në banesa private, dhe aty rreth orës 11:00, u futëm në sallën e mbledhjeve te drejtorisë së Qendrës. Drejtoria, e shqetësuar, shpejt ftuoi strukturat politike dhe ato përgjegjëse për arsim në Kosovë. Salla ishte shumë e vogël për t’i zënë të gjithë ata student që kishin ardhur. Politikanët, të gjendur ngushtë në këtë situatë shpërthyese, pranuan aty për aty; që çmimet të ulen në gjendjen e mëparshme. Është me interes të përmendet fakti se në atë protestë, të parë serioze dhe të hapur, studentët shprehën hapur botëkuptimet dhe në një mënyrë “strukturat“ e vërejtën që kjo ishte gjende preliminare e një situate të rëndë që do të pasonte. Kështu ata me këmbëngulje filluan të kërkonin emrat e këtij këshilli iniciativ. Protesta përfundoi me realizimin e kërkesës, që çmimet të uleshin në nivelin e para ngritjes së tyre. Megjithatë, gjendja në mesin e studentëve nuk u qetësua, edhe kushtet ishin të rënda. Mungonin edhe gjërat më elementare; uji për pije e higjienë, nxemja, ushqimi ishte shumë i dobët, me orë të tëra duhej pritur në rend për të ngrënë. Kështu, ngadalë, vijmë deri te protesta e dytë më serioze, e cila edhe është paralajmëruese e një shpërthimi të fuqishëm që do të pasojë në mars të vitit 1981.
Drejtoria e Qendrës së Studentëve, si në fillim te vitit 1980, po ashtu në fund të dhjetorit 1980 i ngriti çmimet. Drejtoria mbylli edhe te vetmen sallë të leximit qe kishte Qendra e Studenteve, sepse aty mendohej të vendoseshin agjentat e UDB-së, për të vrojtuar studentët. Tani reagimi i studentëve ishte edhe më i ashpër. Nuk pati nevojë të ftohet asnjë student, sepse me të dëgjuar këtë lajm u tubuan me qindra vetë. Krerët e Qendrës i mbërtheu paniku. Studentët hynë në zyret luksoze të drejtorisë duke krahasuar kushtet e tyre me byrokratët e kolltuqeve luksoze. Drejtori nuk pati guxim të na dalë përpara, poashtu punëtorët e tjerë të drejtorisë lëshuan zyret dhe ikën. Pas pak arritën përgjegjësit e arsimit, shkencës dhe kulturës së Krahinës, sekretari dhe nënsekretari per arsim, shkencë dhe kulturë. Në grupin e politikanëve dhe pergjegjësve të arsimit, ishin kamufluar edhe punëtorë të sigurimit shteteror, të UDB-së famëkeqe.
Tani studentët ishin më të ashpër, diskutimet ishin më të zjarrta dhe kalonin caqet e protestës për ngritjen e çmimeve në Qendër. Shumë nga protestuesit elaboronin me fakte gjendjen dhe katandisjen e popullit; paraqitnin fakte se çfarë padrejtësish po përjetonim, se a ka erë barazie këtu apo jo. Nga aty, dilnin pyetje, të cilave udhëheqësia e atëhershme nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej;
– “Për kë punon Trepça, ky gjigant i yni?”
– “Pse Shkupi ta shfrytëzojë rrymën që prodhohet te ne?“
U gjendën para një situate ku ishin të detyruar të flisnin, por në disa pyetje as atëherë e as më vonë nuk kishin si të përgjigjeshin. Me ngulm kerkonin emrin e studentëve që diskutonin, por asesi nuk i morën. Meqë u krijua një situatë tejet serioze dhe sa vinin e shtoheshin kërkesat që të dilnim e të defilonim nëpër qytet, nga strukturat morëm premtime se kushtet do të përmirësoheshin dhe se do të bëhej çmos për përmirësimin e tyre në të ardhmen. Protesta e 12 dhjetorit 1980 perfundoi me fjalët alarmuese të një studenti, se ”poqese nuk punoni në të mirën e rinisë dhe të këtij populli, sot në protestë i keni 500, nesër do t’i keni 5000, pasnesër 50000 e më vonë tërë popullin që do të ngritet në këmbë, sepse i ka ardhur laku në fyt”.
Pas këtyre fjalëve u shpërndamë duke pritur ditë më të mira, por gjendja vazhdonte ashtu pa shenja të përmirësimit. Në mesin e studentëve vërehej një vlim i brendshëm dhe pritej së shpejti shpërthimi. Filloi të dominojë mendimi se kërkesat tona binin në vesh të shurdhër, prandaj duhet të gjendeshin forma të tjera të veprimit. Me net të tëra analizoheshin format e ndryshme të cilat do të shpienin deri te realizimi i qëllimeve. Me net të tëra pos komentimit te protestes dhe suksesit te saj, mendohej hapi i radhës… Pritej te ndizej vetëm shkëndija e parë për të shpërthyer i gjithë ai vullkan. Ishte ideja që të shfrytëzohej situata e rëndë që mbreteronte në menzën e studentëve, aty ku pritej edhe nga një orë në rresht për të marrur ushqimin.
***
Kjo edhe u realizua, në mbrëmjen e njëmbëdhjetë marsit të 1981-shit. Kishim kaluar mjaft kohë me pezëm të ndrydhur, erdhi momenti që të shpërthenim. Së pari u hodh pjata, si shenjë revolte, prej nga u solidarizuan të gjithë studentët. Me të përmbysur gjithçka brenda erdhi çasti i nisjes për në qytet. Marshimi vazhdoi përgjatë gjithë rrugëve kryesore të Prishtinës deri kur policia ndërhyri me forcën brutale aty para Institutit Albanologjik, duke shënuar ballafaqimin e parë me forcë të rinisë heroike, për të vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit, kur policia me forcën e hekurt dhe me gazin helmues shpërndau demonstruesit.
Protestat vetëm brenda Qendrës nuk dhanë rezultat dhe tani duhej shkuaj përtej atyre kornizave. Kushtet ishin preteksti, por synimi ishte thjeshte politik. Shpërthimi me 11 mars nuk ishte i rastësishëm në historinë tonë, ai ishte një vazhdimësi që nga orët e para të Lëvizjes sonë Kombëtare për liri e bashkim. Ishin bartësit e këtyre ngjarjeve, ata që me vite të tëra bluanin ide e mendime; ishin ata që frymëzimin e tyre e gjenin nga luftërat shekullore, nga heroizmi dhe sakrifica e të rënëve, nga porositë e atyre që gjendeshin në burgje si Adem Demaçi me shokë etj. Gjithnjë udhëhiqeshim nga ata që më 1968, ditën ta shpalosin gjoksin, kurse ne bëmë vetëm edhe një hap drejt realizimit të qëllimit final, lirisë së Kosovës. Se sa ne kishim të drejtë u pa. Ne bëmë demonstratat me 11 e 26 mars, por me 1, 2 e 3 prill u ngrit i tërë populli, çka bëri jehonë të fuqishme në botë. Të gjithë shqiptarët kudo që jetonin në trojet etnike dhe anekënd botës u solidarizuan me këtë veprim. Më vonë u pa se këto ngjarje e tronditën që nga themeli atë krijesë artificiale që u quajt Jugosllavi; që ishte bërë burg i popujve. Kryengritja pa armë e 81-shit, thotë Demaçi, ishte grushti i fundit që paralajmëroi shkatërrimin e Jugosllavisë së urryer.
Bartësit dhe prijësit e Demonstratave të ’81-shit, përkundër terrorit të egër, ndjekjeve, dhunës, arrestimeve, burgosjeve, e mbajten flakadanin e ndezur të lirisë, duke realizuar platformën e revolucionit deri në martirizim, si të ideologëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gervalla, heroizmi i militantëve, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Bahtir Bahtiri, Hasan Ramadani, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, e deri tek lufta Çlirimtare e UÇK-së, si komandant lufte, Abdullah Tahiri, Femi e Xheve LLadrofci, Isa Kastrati, Nushë e Tefik Zymberi, Remzi Ademi e dhjetra e qindra të tjerë të cilët nën flamurin e Komandantit Legjendar Adem Jasharit bënë luftën çlirimtare, ide dhe koncept i dalur nga platforma e Lëvizjes Studentore të ’81-tës : “ ja me hatër ja me luftë”…