Para takimit me Thaçin e Veselin, Konjufca nga Haga: T’i kalojmë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojmë forcat
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ndodhet në Hagë, ka takuar ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Pjetër Shalën, të cilët po mbahen në paraburgim.
Ndërsa, nesër ai pritet të takojë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Me këta të fundit që dikur i kishte rivalë politikë, Konjufca ka thënë se duhet t’i kalojnë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojnë forcat.
“Nesër pritet ta takoj presidentin Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Veseli. Ata tashmë e kanë konfirmuar vizitën. Është mirë që po ndodh, institucionet tona gjithmonë duhet të jenë afër”.
“Ne do t’i kalojmë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe duhet t’i bashkojmë forcat për aq kohë sa mendoj se në këtë proces po dëmtohet Kosova”, ka deklaruar kryeparlamentari në një intervistë për RTK-në.
Sa i përket punës së Gjykatës Speciale, ai tha se ka shumë defekte.
“Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen është fakti se po bëhen dy vjet prej kur këta janë brenda, të izoluar, e procesi gjyqësor nuk po fillon. Me të gjitha standardet evropiane të të drejtave të njeriut, mkjo është e kritikueshme sepse ta keni parasysh edhe në sistemet e kaluara që kanë qenë diktatoriale, njeriun nuk e kanë mbajt 9 muaj pa filluar procesi”.
“Pastaj ose ke prova ose nuk ke prova. Me këtë që po shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale, jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur”, ka thënë tutje Konjufca.
Ai tutje ka përmendur faktin që kanë kaluar 24 muaj prej kur është publikuar aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por procesi gjyqësor ende nuk ka filluar. E kjo sipas tij, jep indikacione që Specialja po i mban të izoluar qëllimisht.
“Por, kjo është e paprecedentë, të shkëputen nga jeta publike pa qenë gjykata e përgatitur për të filluar procesin gjyqësor”.
“Kjo është ajo që duhet ta kritikojmë dhe të bëjmë trysni në kuptim institucional që kjo të zgjidhet. Nëse gjykata nuk është e përgatitur duhet t’i lirojë këta persona ose ta pranoj që po i izolon”.