Para takimit në Uashington, Krasniqi: Nuk pres ndonjë marrëveshje të shpejtë
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka mirëpritur ftesën e ShBA-së, për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ka thënë se nuk pret marrëveshje të shpejtë finale.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, para takimit në Uashington, ka kërkuar unifikim të spektrit politikë, pasi sipas tij një marrëveshje me Serbinë është vështirë e arritshme pa konsensus të plotë të të gjitha partive politike në vend.
“Duhet të themi se është mirë që ShBA-ja është e interesuar që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një e mirë e madhe dhe sigurisht që edhe Kosova edhe Serbia janë të interesuara dhe duhet të shkojnë në Uashington, që në fund të fundit të shikojnë se cilat janë kërkesat dhe çka po afrohet dhe çka po propozohet atje. Ne si palë e Kosovës nuk e dimë se çka do të propozohet atje dhe është e parakohshme që të flasim, por ta themi se çka presim nga këto takime. Gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve jam marrë me raportet Kosovë-Serbi e në mënyrë të veçantë pas shpalljes së pavarësisë dhe duke parë deklarimet e udhëheqësve të Serbisë, duke parë burimin e filozofisë serbe që kryesisht e ka te mitologjia serbe e cila është edhe e rrejshme, nuk pres ndonjë marrëveshje të shpejtë e aq më pak të lehtë dhe me përmbajtje të dëshirueshme”, ka thënë ai për “Kosovapress”.