Paraburgim 48-orësh për të dyshuarin e abuzimit me të miturën nga Drenasi

07 shkurt 2019 | 19:59

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar përmes një komunikate për medie se në lidhje me rastin e abuzimit ndaj një të miture nga Drenasi, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore ndaj hetuesit policor V.V., që dyshohet se ka kryer vepra penale.

Hetuesi policor V.V. dyshohet për “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe veprën penale “ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë me të pranuar informatën, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, sipas urdhëresës së prokurorit kujdestar. I dyshuari, V.V, më 05.02.2019, është ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, i cili është dërguar në qendër të mbajtjes, në afat prej 48 orësh”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Kjo Prokurori është duke punuar në mbledhjen e të gjitha provave lidhur me këtë rast.

I dyshuari V.V. në cilësinë e hetuesit policor, paraprakisht e kishte marrë përsipër të hetonte rastin e përdhunimit të së miturës së njëjtë nga Drenasi, nga një mësimdhënës i saj, SH. GJ.

Policia e Kosovës po ashtu ka njoftuar të enjten, se ka arrestuar edhe mësimdhënësin SH. GJ. i cili paraprakisht ishte suspenduar nga puna.

Bekim Kafegjolli, avokat i hetuesit policor të dyshuar, ka thënë se klienti i tij “Vesel Veseli nuk ka të bëjë fare me veprat për të cilat ngarkohet”.

“Kushtet të cilat i ka paraqitur prokurori lidhur me caktimin e paraburgimit nuk qëndrojnë dhe i njëjti konsideroj që duhet të lirohet me një masë më të butë ose me procedurë të rregullt”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, grupet parlamentare të partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Alternativës, kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me, siç është thënë, “ngacmimin seksual, përdhunimin dhe kryerjen e abortit të paligjshëm ndaj të miturës, si dhe përgjegjësinë institucionale”, për këtë rast.

Seanca e jashtëzakonshme është kërkuar që të mbahet të premten, më 8 shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka konfirmuar se…