Paraburgim ndaj një të dyshuari, ia mori viktimës 10 mijë euro për punësim në KEK apo PTK
Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Xh.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “mashtrimi”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021 në vende të ndryshme duke vepruar në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet në arrati, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje të ministrit si dhe si menaxher të KEK, i premtojnë të dëmtuarit L.G. se do ta punësojnë atë dhe djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të dëmtuarin duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan shumën e tërësishme prej 10 000 euro në emër të punësimit në KEK”.
“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Ferizaj.