Paraburgim për qytetarin që i bëri për spital dy zyrtarë policorë

06 korrik 2021 | 11:25

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një qytetari, i cili ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

Sipas njoftimit derisa policia ishte duke i kërkuar dokumentet e veturës që ishte e parkuar në vend të gabuar, i dyshuari i ka ofenduar ata e më pas edhe i ka sulmuar fizikisht.

Siç ka njoftuar kjo gjykatë, pas kësaj ngjarje, zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. I(1).

Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 04.07.2021, në ora 00:15 minuta, në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, në Gjilan, i pandehuri ka sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare lidhur me sigurinë e përgjithshme të rëndit publik, ashtu që deri sa të dëmtuarit – zyrtarët policorë F. S. dhe G. A., kishin kërkuar nga A. I.(2) që të largonte veturën dhe i kishin kërkuar dokumentet e nevojshme për qarkullim në rrugë publike, në ato momente ka ndërhyrë i pandehuri A. I.(1), i cili i kishte thënë vëllait të tij A. I.(2) që të mos i dëgjonte urdhrat e zyrtarëve policorë dhe kishin shtyrë të njëjtit, duke i fyer me fjalë të rënda, e më pas edhe i sulmojnë me duar, me ç’rast zyrtarët policorë detyrohen që të kërkojnë tretman mjekësor.

Me këto veprime, i pandehuri A. I.(1) dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtarja e procedurës paraprake në departamentin e përgjithshëm, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që aplikimi i masave të tjera do të ishte i pamjaftueshëm për zbatimin sa më suksesshëm të procedurës penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Ilir Meta, në kuadër të vizitës në Hungari, ka…