Paradoksale: Për mijëra vrasje në Kosovë, njerëzit e Millosheviqit ishin dënuar më pak se ‘Cali’
Në luftën e fundit në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, Serbia ka vrarë më shumë se 13 mijë persona.
Sipas këtyre të dhënave dhe faktike janë dhunuar 20 mijë gra e mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Janë dëbuar afër 1 milion njerëz dhe dëmet e luftës vlerësohen disa miliarda.
Për krejt këto nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviqi në Kosovë, Nikola Shainoviqi ishte dënuar me 22 vjet burgim.
Pas apelit, dënimi i ishte zvogëlua në vetëm 18 vjet dhe pasi mbajti dy të tretat e dënimit ishte liruar për sjellje të mirë. Pra 12 vjet burgim për mbi 13 mijë të vrarë.
Dragoljub Ojdaniq, shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, kishte marrë vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra për të cilat akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Kolegu i tij, komandanti i forcave të ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë, Vladimir Lazareviq ishte dënuar edhe vetëm me 14 vjet burgim.
Përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga policia e Serbisë në Kosovë, Sreten Lukiq, nuk kishte marrë më shumë se 20 vjet dënim nga Tribunali Ndërkombëtar.
Lukiq në kohën e luftës, ishte shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) për Kosovë.
E sot, Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali” është dënuar me 26 vjet, nga një gjykatë që thirret ne emrin e popullit te Kosovës. /Lajmi.net