Paradokset e përvitshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës!

06 qershor 2023 | 21:47

1. Sot u hap edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Me kohë, prej udhëheqësve të institucioneve lokale dhe qendrore, erdhi Glauk Konjufca. U vonuan ministri Çeku, kryeministri Kurti, shkrimtari Ismail Kadare mezi erdhi mbajtur për krahësh nga botuesi. E natyrshme. Është në prag të nëntë dekadave. Rexhep Qosja nuk erdhi dhe bëri mirë që s’erdhi. Ceremonia e çeljes së panairit, që do të duhej të zgjaste krejt dhjetë minuta, me vonesat e udhëheqësve dhe me fjalimet e tyre, zgjati një orë. Punonjësit e sigurimit nuk i linin të dilnin nga hapësira qytetarët që ishin futur brenda, nuk i linin as të tjerët të futeshin brenda që kishin ardhur për vizitë e jo për të dëgjuar fjalime. Dorën në zemër, më shumë se për Kadarenë, qytetarët shprehnin interesim për t’ia dhënë dorën Kurtit, por sigurimi i tij s’i linte t’i afroheshin pranë, madje i shtynin qytetarët me bërryla. Nuk ruhet i zoti i shtëpisë kështu, o djem! Nuk ka ra në gjak me popull! Nëse ka ra, ngujojeni! Kështu, kaq afër, kaq kujdesshëm, kaq gatitu (me paraqitje të revoleve në brez) nuk është ruajtur asnjë kryeministër shqiptar më parë, përpos Ahmet Zogu që kishte frikë pas atentatit të tetorit nga Noli. Kurti nuk është kaq frikacak sa mendoni se është. Prandaj, lëreni njeriun të ecë vetë, si Beni të ecë lirshëm, t’i përshëndetë qytetarët si një herë e një kohë e t’i përqafojë.

2. Ceremonia e çeljes së panairit zgjati shumë. Përpos organizatorit dhe ministrit të Kulturës, edhe shkrimtarit Kadare, të gjitha fjalimet e të tjerëve qenë të panevojshme. Pse duhej të fliste kryetari i Kuvendit në këtë ngjarje? Pse duhej të fliste kryeministri i Kosovës në këtë ngjarje? Pse duhej të fliste kryetari i Prishtinës? Vetëm pse janë udhëheqës të institucioneve dhe prej tyre pritet mbështetja?! Në cilin shtet evropian, shtet të kulturuar e normal me mendje, hapjen e panaireve e bëjnë udhëheqësit e shtetit e moderimin drejtorët e OJQ-ve e analistët politikë?! Pse ata duhet të përzihen e të përfshihen edhe në këto ngjarje kulturore? Pse i bëni kaq të rëndësishëm në jetën tonë? Nëse janë të rëndësishëm për ju sa për mbështetje materiale, për qytetarët nuk janë. Ju, në shpinë të një shkrimtari të madh shqiptar, të pranisë së tij, po e ktheni, nëpërmjet medieve, vëmendjen te pjesëmarrja e politikanëve në panair. As ftesë mos u çoni bre! Nëse e ndiejnë për obligim, si të gjithë qytetarët dhe dashamirët e librit, le të vijnë pa i ftuar. Si erdhën si nuk erdhën, për botuesit dhe lexuesit, njëjtë është. Qeveritarët nuk e nxitin lexueshmërinë. Mund ta dëmtojnë.

3. Shkrimtarë nderi në këtë edicion, ka ditë që flitet nga organizatorët, ishin ose janë Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja. Morët vesh tashmë, se Qosja nuk erdhi. Pse thashë se bëri mirë që s’erdhi sot. Përpos që në pllakatet e panairit ishte bërë dallimi mes tyre, duke e vendosur njërin (Kadarenë) njëzet centimetra më lart se tjetrin (Qosjen), dallimin më të madh e bënë kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Prishtinës. Asnjë fjalë nga goja e tyre për Qosjen. Të tjerëve edhe po ua falim këtë gabim, se aq sa dinë flasin, po pse e bëri këtë lëshim kryeministri Kurti, i cili, respektin që dikur shprehte për Qosjen, nuk e shprehte për Kadarenë dhe për asnjë tjetër. As për Demaçin! Në një pllakat panairi, në të cilin dukej portreti i Qosjes, kryeministri, së paku, do të duhej ta shprehte këtë fjali: “Ky është Rexhep Qosja”. Edhe nëse Kurti e di që raportet në mes të Kadaresë dhe Qosjes ende janë të acaruara, do të duhej të thoshte: “‘Libri triumfon’, por letërsia na bashkon. Ja, sot, në këtë ditë të vrenjtur, së paku në këtë pllakat, i ka bërë bashkë Kadarenë dhe Qosjen. Urime!”. Kaq.

4. Një fjali e çuditshme nga kryeministri. Një konstatim i paqëndrueshëm. Ai tha: “Biblioteka Kombëtare e Kosovës po bën transformimin digjital, duke u shndërruar në bibliotekën më të avancuar në rajon”. Pasha një zot që të ka falur ty dhe mua kryeministër, jo. Asgjë s’po punohet në transformimin digjital. As programi për katalogim që nja pesë-gjashtë muaj s’po bën. Shyqyr Zotit që e ka skedarin alfabetik, se do të shkonte për lesh! Kushdo që të ka dhënë informacione për transformim digjital, t’i ka dhënë të gabueshme. Thirrmë në takim dhe të tregoj çfarë transformimi po bëhet aty. Është mirë, për punët e shtëpisë, të pyesësh në komshi.

Mirëmbetsh!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet SYLEJMANI Ish-të burgosurit politik janë të shumtë te populli…