Paradokset e Prishtinës (kush po thotë se Prishtina s’ka lum?
Shkruan: Shefqete Goslaci
Qytetarë të dashur të Kryeqytetit, (juve që ju ka marr malli për lumin tuaj dhe timin), ejani në Kolovicë shiqone lumin. Ju që keni jetuar prej disa dekadash dhe Ju që jeni pinjoll të familjeve Prishtinase, dhe jo vetëm Ju, e dini se Prishtina kishte (dhe ka), një lum (Prishtevkën) të rrjedhshëm që dikur “ecte” qetë mespërmes qytetit të trazuar. Lumi Prishtevka, edhe pse i pamirëmbajtur dhe i ndotur nga ujrat e zeza që derdheshin në të nëpër rrjedhën e tij, edhe i tillë ishte dhe është pasuri e Kryeqytetit.
Me sa më kujtohet, para luftës (viti nuk më kujtohet), erdhën në pushtet disa “mendjendritur” (nuk e di cili nga Kryetarët, por cilidoqoftë nga ta) në KK të Prishtinës dhe me cektinën e dijes së tyre për vlerën e lumit për një qytet modern, duke dashur ta largonin erën e keqe që kundërmonte nga lumi (në mungesë të mirëmbajtjes së tij), ju shkrepi në kokat e tyre një trik i paparë dhe “hopaaa”, sa qel e mshel sytë e groposën ose thën më mirë e “varrosën” lumin që ishte i gjallë dhe po vuante për dorën e njeriut. Por, të kuptohemi, jo të njerëzve si ata.
Qytetarët e Prishtinës të shumtën e herave të nxënë e të lodhur e mbingarkuar me problemet fatëkeqësisht, pothuajse të përhershme të politikës, për të cilat kurrë s’ju ndanë gazepet, protestat e reagimet, për lumin as që i pyeti kush?
Lumi prishtevka duke qenë pasuri publike dhe para së gjithash do të ndikonte jo vetëm në bukurinë dhe pastërtinë e qytetarinë e një qyteti modern, por edhe në pastrimin e ajrit dhe freskinë e qytetarëve dhe të ambientit. Kuptohet nëse do të ishte rregulluar pastruar dhe mirëmbajtur, (në të kundërtën e futën në gypa, kush e di sa do t’ket vuajtur edhe uji kur e futën në gypa, e kush e di ku derdhet).
Fatkeqësisht edhe sot gypohen shumë lumenjë gjithandej Kosovës, duke degraduar natyrën pa mëshirë.
Ruana Zot, nga të tillët!
Video:
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=3697239490403221&id=100003516190316
Kush po thot se Prishtina s’ka lum?
Ka, ka edhe të mirë bile.
Lumi Prishtevka buron nga fshatrat e Gollakut dhe rrjedh nëpër lagjen Kolovica të Prishtinës, përrreth Fushës së Pajtimit, (e cila më në fund u pastrua nga KK i Prishtinës dhe ka filluar të mirëmbahet), dhe vazhdon rrjedhën afër banesave të veteranëve në Kolovicë, dhe aty i “prehet” rrita.
Sikur të bëhej një plan i mirëfilltë për zhvillimin e Kryeqytetit, (edhe pse ligji për Kryeqytetin është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës),me lumin mespërmes me shetitore me pemë e drita dhe të rregulloheshin fusha sporti ose çerdhe fëmijësh, apo çkado tjetër ndonjë objekt kulturorë ose ndonjë simbolikë sado e vogël t’u kujtonte brezave se aty, në Fushën e Pajtimit (1990) u falën dhjetra gjaqe, sa do ti shtohej vlera Kryeqytetit, si vlerë, ambient, pamje dhe histori.
Por kujtesa jonë fatkeqësisht, len shumë për të dëshiruar?
Varrosja e qëllimshme e lumit, në intetes të kujt?
Veprimi i tillë me ligjet Ndërkombëtare është i dënueshëm nga kushdo që e ka vënë në zbatim, sepse me ligje Ndërkombëtare mbrohen dhe ruhen resurset natyrore në shërbim të qytetarëve (që Zoti, ne shqiptarëve na i ka falur me bollëk), por në Kosovën tonë të dashur, ligjet edhepse të mira, ende flejnë.
Në botën përparimtare dhe demokratike ku zbatohen ligjet dhe ushtrohen politika të mirëfillta krijohen edhe lumenjë artificial,(të tillë lumenjë ka në Amsterdam, dhe shumë qytete Europjane), për të mundësuar një ambient sa më të qetë, të këndshëm, të pastër dhe sa më relaksues për qytetarët.
Lumi është i gjallë, dhe i pastër, nxirreni nga “varri”.
Lumi Prishtevka nuk është hiç më i vogël se Lana e Tiranës, që ja shton aq shumë bukurinë dhe freskinë, përkundrazi.
KK të Prishtinës shpesh i teprojnë para në buxhet për mungesë të projekteve. Imagjinoni një mendje të hollë dhe një dorë vërtetë NJERËZORE dhe HUMANE të politikanëve tanë që do ta nxirrte lumin nga shtrati ku e kanë gyposur.
Pamja e Prishtinës me lum dhe ajrin e pastër nga malësia e Gollakut që lumi do ta sillte me vete, do të ishte afërsisht si Prizreni me Lumbardhin.
Ta duash dhe ta ruash pasurinë kombëtare është patriotizëm.
Jam një qytetare e veç një zë që në këtë mënyrë ngre shqetësimin tim, nëse shqetësoheni edhe Ju, bashkë, mund ta kthejmë lumin në Kryeqytet!
Ky lum i “mbuluar” në kushte normale, do të duhej ta tërhiqte edhe vëmendjen e Arkitektëve të qytetit, dhe ti shqetësonte, si projektues të tij.
Por kush mund ta bëj?
Për kthimin e lumit kërkohet para së gjithash dije, guxim, këmbëngulje dhe emancipim i politikës dhe qytetarëve. Të bashkuar mund t’ja dalim.
Si qytetarë na takon edhe të protestojmë kur na cënohet prona publike, si në rastin konkret. Në Kosovën e trazuar nga politika rrallëherë si qytetarë na ka rastisur të protestojmë për çështje sociale, si mungesa e ujit, mungesa dhe shtrenjëtimi i rrymës, etj.
Sidomos ambientalistët, nëse kemi të tillë, po për çka më përpara?
Ju politikanë të vërtetë bëjeni këtë vepër humane për lumin tonë të përbashkët për dobinë dhe shëndetin e përbashkët!
Bëjeni sot!