Paralajmërim për bombë në Prishtinë, policia urdhërohet t’i shtojë masat e sigurisë
Policia e Kosovës e ka rritur vigjilencën dhe masat e sigurisë, pasi që një person i huaj ka paralajmëruar se në Prishtinë do të shpërthejë një bombë.
Policia e Kosovës këtë të diel është mobilizuar, pasi që një i huaj ka paralajmëruar në një rrjet social të vetin se në Prishtinë do të shpërthejë një bombë, duke e përmendur edhe personin tjetër që ia ka thënë këtë.
Demokracia.com ka mësuar se tashmë të gjitha stacionet policore në Prishtinë e kanë rritur vigjilencën dhe informata është duke u trajtuar nga ekipet profesionale brenda Policisë së Kosovës, pasi që dyshimet janë se bëhet fjalë vetëm për “alarme” të rreme, sikurse edhe muajve të kaluar.
Po ashtu, policët e të gjitha stacioneve në kryeqytet, siç ka mësuar Demokracia.com, janë urdhëruar që t’i rrisin patrullimet dhe masat e sigurisë kudo që ka më shumë prezencë të qytetarëve, derisa vetë janë urdhëruar që të veshin antiplumbë dhe patrullimet t’i bëjnë me armë të gjata.
Demokracia.com i posedon edhe emrat e dy të huajve që po trajtohen si burime të informacionet lidhur me këtë rast, por për shkak të ndjeshmërisë ka vendosur që të mos i publikojë.