Paralajmërime për sulm në aeroportin e Kabulit
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.
Më shumë se 82,000 njerëz janë nxjerrë tashmë me aeroplanë nga Kabuli, i cili ka rënë në duart e talibanëve më 15 gusht.
Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit.
Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, me shpresën se do të mund të largohen.
Zyra e Jashtme britanike lëshoi një këshillë të ngjashme, duke u thënë njerëzve pranë aeroportit që “të largohen në një vend të sigurt”. Ajo tha se ekziston një “kërcënim i vazhdueshëm dhe i lartë i sulmit terrorist”.
Australia gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të saj dhe atyre me viza për në Australi që të largohen nga zona, duke thënë se ekziston një “kërcënim shumë i lartë për sulm terrorist”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për përfundimin e evakuimit të njerëzve dhe të tërheqjes së trupave amerikane, që ruajnë aeroportin.
Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati.
Dega e Shtetit Islamik në Afganistan dhe Pakistan ka qenë përgjegjëse për disa nga sulmet më vdekjeprurëse në këto vende, viteve të fundit.
Derisa trupat perëndimore po punojnë brenda aeroportit për evakuimin e qytetarëve, luftëtarët talibanë po ruajnë perimetrin e jashtëm.
Ahmedullah Rafiqzai, një zyrtar afgan që punon në Drejtorinë e Aviacionit Civil në Aeroportin e Kabulit, tha për agjencinë Reuters se do të ishte e lehtë për një sulmues vetëvrasës që t’i sulmonte korridoret, por tha se është skeptik se njerëzit do t’i dëgjojnë paralajmërimet.
“Vendosmëria për të ikur nga ky vend i bën që të mos kenë frikë nga vdekja. Të gjithë po rrezikojnë jetën e tyre”, tha Rafiqzai.
Shtëpia e Bardhë tha se Biden është informuar për kërcënimin nga Shteti Islamik, si dhe për planet e emergjencës për evakuim. Biden ka urdhëruar largimin e të gjitha trupave nga Afganistani, në bazë të një marrëveshjeje me talibanët.
Qëkur talibanët kanë hyrë në Kabul më 15 gusht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 88,000 njerëz, përfshirë 19,000 në 24 orët e fundit.
Ushtria amerikane ka thënë se aeroplanët po ngrihen çdo 39 minuta nga aeroporti i Kabulit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në një konferencë për media në Uashington se nuk ka afat në përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që duan të largohen nga Afganistani – si amerikanët, ashtu edhe të tjerët – dhe se kjo do të vazhdojë “për aq kohë sa duhet”.
Talibanët kanë thënë se trupat e huaja duhet të jenë jashtë Afganistanit deri në fund të këtij muaji dhe kanë përjashtuar çdo zgjatje të afatit.
Ata u kanë bërë thirrje afganëve që të qëndrojnë, ndërsa kanë thënë se ata që kanë leje për t’u larguar, do të lejohen ta bëjnë këtë sapo të rifillojnë fluturimet komerciale.
Talibanët kanë sunduar Afganistanin edhe në periudhën 1996-2001, me një interpretim brutal të ligjit islamik.
Talibanët tani premtojnë një sundim më të butë, por shumë kanë frikë nga kufizimet e ashpra që mund t’i imponojnë, si dhe nga ndëshkimi për shkak të punës me ushtritë e huaja dhe misionet perëndimore.
Shqetësime të veçanta ka për gratë, të cilave, gjatë sundimit të mëparshëm taliban, u është ndaluar shkollimi dhe punësimi.