Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë më 1 maj, ndërsa për kërkesat e tyre ka thënë se i kanë adresuar ato.
Nga SBAShK-u kanë paralajmëruar protestë më 1 maj, ndërsa kanë akuzuar kabinetin qeveritar për “qasje destruktive ndaj sindikatave”.
Nagavci ka thënë se qëndron çdo herë afër mësimdhënësve dhe se synim ka përmirësimin e cilësisë në arsim, ndërsa thotë se nuk është në dijeni të jetë adresuar ndonjë kërkesë me ndonjë temë të caktuar.
“Çdo kërkesë e adresuar është shqyrtuar. Mesa jam në njohuri nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare me ndonjë temë të caktuar me të cilën do të bisedojmë. Si ministre jam çdo ditë afër mësimdhënësve e shkollave. Jam tejet e interesuar që bashkë me të gjithë të punojmë për të përmirësuar cilësinë në arsim. Ka shumë punë për të bërë dhe shumë vullnet, kështu edhe kryetarin e SBAShK-ut e tjerët i kisha ftuar që me qenë të matur në deklaratat tyre… Ne i kemi takuar vazhdimisht edhe unë, edhe zëvendësministri, takimet nuk duhet të bëhen sa për tu mbajtur takime por të ketë tema të caktuara për të cilat bisedojmë dhe punojmë bashkë”, ka thënë Nagavci. /EO