Paralajmërimet për mocion ndaj Qeverisë, joserioze
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ka vlerësuar joserioze paralajmërimet e opozitës se në muajin shtator do të ngrehë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka përsëritur këtë refren prej se Ramush Haradinaj ka marrë detyrën e kryeministrit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se Qeveria nuk u frikësohet këtyre paralajmërimeve ngaqë, sipas tij, opozita nuk e ka shumicën në Kuvend. “Tashmë Qeveria Haradinaj është afër njëvjetorit që nga marrja e përgjegjësisë dhe pothuajse gjatë gjithë këtyre muajve kemi dëgjuar të njëjtin refren të partive opozitare, e sidomos të LDK-së, që do të organizojë mocion mosbesimi. Prandaj, unë nuk i marrë shumë serioze këto deklarime dhe nuk frikësohemi nga rrëzimi i Qeverisë. Nëse opozita do ta kishte shumicën e Kuvendit, ne do të dorëhiqeshim nga pozita”, ka thënë Lekaj.
Ai nuk beson se dikush nga koalicioni qeverisës mund ta ndihmojë opozitën për rrëzimin e Qeverisë, ndonëse ka shtuar se vlerëson çdo mendim ndryshe brenda koalicionit qeverisës. “Nuk jemi nga ato parti që jemi të lidhur domosdoshmërisht me pushtetin, andaj çdo mendim ndryshe të ndonjë deputeti, qoftë nga pozita apo opozita, do ta respektonim. Mendimi ndryshe është thelbi i demokracisë”, është shprehur ai.
Lekaj, i cili është edhe nënkryetar i AAK-së, ka treguar për punët e mëdha që, sipas tij, i ka bërë kjo Qeveri. “Në ditët e para të qeverisjes kemi arritur ta zhbllokojmë procesin e demarkacionit, duke bërë një marrëveshje të re, e cila garanton korrigjimin e kufirit nga marrëveshja e demarkacionit që ishte nënshkruar nga Qeveria Mustafa, zhbllokim ky që qytetarëve të Kosovës ua dha rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave. Po gjatë kësaj qeverisje jemi duke punuar për një infrastrukturë më të mirë dhe zhvillim ekonomik të cilin e meritojmë, për një shëndetësi që të gjithë e duam dhe një arsim sa më cilësor. Këto ndryshime janë të prekshme për qytetarët. Këto ndryshime i di edhe opozita, por ne e dimë rolin e saj kritikues”, ka thënë Lekaj.
“Epoka e re”: Z. Lekaj, opozita ka paralajmëruar se në muajin shtator do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. I frikësoheni këtij mocioni?
Lekaj: Tashmë Qeveria Haradinaj është afër njëvjetorit që nga marrja e përgjegjësisë dhe pothuajse gjatë gjithë këtyre muajve kemi dëgjuar të njëjtin refren të partive opozitare, e sidomos të LDK-së, që do të organizojë mocion mosbesimi. Prandaj, unë nuk i marrë shumë serioze këto deklarime dhe nuk frikësohemi nga rrëzimi i Qeverisë. Nëse opozita do ta kishte shumicën e Kuvendit, ne do të dorëhiqeshim nga pozita.
“Epoka e re”: Nëse vjen deri te votimi i këtij mocioni, keni frikën se ndonjë deputet i PDK-së apo prej subjekteve të tjera të koalicionit qeverisës mund të votojë për rrëzimin e Qeverisë?
Lekaj: Nuk jemi prej atyre partive që jemi të lidhur domosdoshmërisht me pushtetin, andaj çdo mendim ndryshe të ndonjë deputeti, qoftë nga pozita apo opozita, do ta respektonim. Mendimi ndryshe është thelbi i demokracisë.
“Epoka e re”: Një nga arsyet e opozitës për këtë mocion është se kjo Qeveri po qeveris dobët. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre pretendimeve?
Lekaj: Kjo Qeveri ka filluar punën me intensitet të lartë. Pothuajse në çdo mbledhje të Qeverisë janë votuar dhjetëra vendime të cilat kanë qëndruar në sirtar me vite. Në ditët e para të qeverisjes kemi arritur ta zhbllokojmë procesin e demarkacionit, duke bërë një marrëveshje të re, e cila garanton korrigjimin e kufirit nga marrëveshja e demarkacionit që ishte nënshkruar nga Qeveria Mustafa, zhbllokim ky që qytetarëve të Kosovës ua dha rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave. Po gjatë kësaj qeverisje jemi duke punuar për një infrastrukturë më të mirë dhe zhvillim ekonomik të cilin e meritojmë, për një shëndetësi që të gjithë e duam dhe një arsim sa më cilësor. Këto ndryshime janë të prekshme për qytetarët. Këto ndryshime i di edhe opozita, por ne e dimë rolin e saj kritikues.
“Epoka e re”: Opozita po frikësohet se ky koalicion qeverisës në fazën finale të dialogut me Serbinë rrezikon ndarjen e veriut.
Lekaj: Qeveria e Kosovës në këtë fazë të dialogut dëshiron që i gjithë spektri politik i Kosovës të jetë unik duke i vënë kushte të qarta përfaqësuesit të Kosovës në këtë dialog. Ne si Qeveri jemi kundër çfarëdo ndarje të Kosovës në këtë proces. Kosova kompromisin më të madh e ka bërë në procesin e Vjenës, gjegjësisht në pakon e Ahtisarit, prandaj çdo kompromis që e kalon këtë pako, Qeveria Haradinaj e konsideron të dëmshëm.
“Epoka e re”: Presidenti i Kosovës edhe në Forumin Evropian në Alpbach e ka përmendur idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke ia bashkuar Kosovës Luginën e Preshevës. Si i sheh Qeveria këto pretendime të shefit të shtetit?
Lekaj: Sa i përket idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit kjo duhet trajtuar në opinionin publik pa inate dhe si një ide të cilën shqiptarët kanë vite që e kërkojnë. Çdo korrigjim i kufirit që shkon në të mirë të Kosovës do të ishte i mirëseardhur, mirëpo kjo nuk do të nënkuptonte që nga Kosova të shkëputej asnjë pjesë e saj.
“Epoka e re”: Qytetarët e Kosovës janë në pritje të vendimit për liberalizim të vizave. A rrezikohet ky proces nga dorëheqja e ish-prokurorit special, i cili ka qenë duke i hetuar listat e veteranëve të UÇK-së, meqenëse ai ka deklaruar se ka qenë i kërcënuar?
Lekaj: Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave dhe jemi në pritje që ky proces të mbyllet përfundimisht, prandaj dorëheqja e një prokurori të paguximshëm për kryerjen e obligimeve të veta ligjore nuk do të duhej të ndikonte në ndryshimin e vendimit të Parlamentit Evropian.
Muhamet KOCI