Paralajmërimi i DASH-it për Kosovën: Kujdes të shtuar për shkak të sulmeve të mundshme terroriste
Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi qytetarët amerikanë që planifikojnë të vijnë në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore – Mitrovicë, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që të jenë të kujdesshëm.
Ky është njoftimi i ri për udhëtime, përcillet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Duke përcjellë paralajmërimin e Departamentit Amerkan të Shtetit, ambasada amerikane në Prishtinë, kërkon nga shtetasit e saj që dëshirojnë të vijnë në Kosovë, kujdes të shtuar për shkak të trazirave dhe sulmeve të mundshme terroriste.
Në njoftimin shkruan se grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në mbarë Ballkanin, përfshirë edhe Kosovën e këtë mund ta bëjnë me apo pa paralajmërim.
Sipas Departamemntnit amerikan të shtetit, në shënjestër mund të jenë lokacione turistësh, stacione autobusësh, tregje, qendra tregtare, ndërtesa të qeverisjes lokale, hotele, klube, restorante, vende kulti, parqe, ngjarje të mëdha sportive e kulturore, institucione edukative, aeroporte e hapësira tjera publike.
Përveç kësaj, në mbarë Kosovën ka dhunë të motivuar politikisht, shkruan në paralajmërimin e shtetit amerikan për qytetarët e saj që udhëtojnë për në Kosovë. Departamenti i shtetit deklaron se nëse qytetarët amerikanë vendosin të udhëtojnë në Kosovë, duhet t’i shmangin demonstratat, të jenë syçelë në vende që frekuentohen nga perëndimorët, të monitorojnë mediat lokale për lajmet e fundit dhe t’i përshtatin planet e tyre bazuar në informacionet e reja. Duke sugjeruar që të shkarkojnë aplikacionin për pranim të kohë reale të njoftimeve të reja nga ambasada, Departamenti i shtetit sugjeron që qytetet që duhen shmangur në Kosovë janë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Sipas paralajmërimit, tensionet brenda dhe mes komuniteteve në veriun e Kosovës vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira tjera në komunat e asaj ane, ndonëse nënvizohet se trazirat e fundit kanë qenë të ndërlidhura politikisht dhe nuk përfshijnë turistët apo pjesëtarët e komunitetit ndërkombëtar, kalimtarët e rastit mund të preken nëse ndodhin incidente të dhunshme.
Në njoftim po ashtu thuhet se Qeveria Amerikane ka mundësi të limituara për të ofruar shërbime emergjente në veri të Kosovës.