Paralajmërimi gjerman për Kosovën kërkohet të merret seriozisht
Paralajmërimet e përfaqësuesve gjerman ndaj Kosovës për përjashtim nga nismat rajonale nëse nuk zhbllokohet vendimmarrja në CEFTA, po kërkohet të merret seriozisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas tyre, Procesi i Berlinit dhe bashkëpunimi rajonal nuk pranon bllokadën tregtare, andaj duhet të merret parasysh kërkesa për heqjen e masave të sigurisë ndaj mallrave serbe.
Mirëpo në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë për nevojën e mbajtjes së këtyre masave, derisa thonë se përjashtimi i Kosovës nga Procesi i Berlinit apo krijimi i ndonjë mekanizmi rajonal pa Kosovën do të nxiste përçarje ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë për “Kosovapress”, se qeveria Kurti nuk duhet të sillet me arrogancë karshi kërkesave gjermane për bashkëpunim rajonal.
Sipas saj, paralajmërimet e ministres gjermane për Evropën, Anna Luhrmann dhe emisarit Manuel Sarrazin ndaj Kosovës duhet të merren seriozisht, në të kundërtën siç thotë ajo Kosova rrezikon të mbetet e izoluar në rajon.
Me shqetësim kërcënimin gjerman ndaj Kosovës e sheh edhe Violeta Haxholli nga KDI.
Megjithatë, ajo e sheh si të pamundur rikthimin në tavolinë të Ballkanit të Hapur, si nismë për bashkëpunim rajonal.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, ka thënë për “Kosovapress”, se Sarrazin apo kushdo tjetër mund të kërcënojnë Kosovën për largim nga nismat rajonale, mirëpo një gjë e tillë është e vështirë të ndodh.
Kryeziu e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, ka thënë se nëse krijohet një mekanizëm i ri rajonal pa Kosovën, atëherë ky nuk do të krijohet për të afruar shtetet drejt BE-së por të për të shtuar edhe më shumë përçarjen brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.