Paralajmërimi i Putin: Lufta në Ukrainë po kthehet në një luftë globale
Putin tha se Perëndimi po përshkallëzon konfliktin në Ukrainë, duke lejuar Kievin të godasë Rusinë me raketa me rreze të gjatë dhe se lufta atje po shndërrohet në një luftë globale
Presidenti rus Vladimir Putin tha këtë të enjte (21/11) se Rusia kishte nisur një sulm me raketa balistike me rreze të mesme hipersonike ndaj një instalimi ushtarak ukrainas dhe paralajmëroi Perëndimin se Moska mund të godasë instalimet ushtarake të çdo vendi, armët e të cilit përdoren kundër Rusisë.
Putin theksoi se Perëndimi po përshkallëzon luftën në Ukrainë duke lejuar Kievin të godasë Rusinë me raketa me rreze të gjatë dhe se lufta po shndërrohet në një luftë globale.
Rusia ka kryer teste luftarake të sistemit raketor hipersonik “Oreshnik” në përgjigje të veprimeve agresive të vendeve të NATO-s kundër Rusisë, tha presidenti rus.
Ambasadori rus në Britaninë e Madhe ka thënë se Britania tani është e përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë.
“Si përgjigje ndaj përdorimit të armëve me rreze të gjatë amerikane dhe britanike, më 21 nëntor të këtij viti, forcat e armatosura ruse filluan një sulm të kombinuar në një nga objektet e kompleksit ushtarak-industrial të Ukrainës”, tha Putin.
“Në kushte luftarake, ndër të tjera u testua një nga sistemet më të reja të raketave ruse me rreze të mesme veprimi. Në këtë rast, me një raketë balistike supersonike pa bërthamore”.