Paralajmërimi në Serbi për bllokimin e pikave kufitare me Kosovën, deklarohet Policia: Kemi plane operacionale

05 shtator 2024 | 21:12

Në Serbi kanë paralajmëruar se nesër (6 shtator) do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës. Sipas deklarimeve do të bllokohen vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdare nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhaje nga ana e Malit të Zi. Vendkalimi në Konçul nuk do të bllokohet tani për tani.

Lidhur me këtë, nga Policia e Kosovës, në veri, kanë thënë se, si çdo herë, edhe tani kanë plan veprimi.

Zëvendësdrejtori i Policës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se PK ka planet operacionale dhe nuk e zë diçka në befasi.

“Gjithmonë kur kemi informacione se diçka mund të ndodhë ne kemi planet operacionale nuk na zë diçka në befasi në rast se kemi bllokim të pikave kufitare …”, tha Elshani për Gazetën Express.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës, njoftoi MPJD.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale ka caktuar tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë…