Paralajmërimi për bllokim të kufijve nga serbët, KFOR: Të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione

04 shtator 2024 | 20:10

Kryetari i të ashtuquajturit “Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës”, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Sipas tij, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

Lidhur me këtë paralajmërim është deklaruar KFOR-i. Në përgjigjen e KFOR thuhet se “është e rëndësishme të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme”.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klan Kosova.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë thotë se po i ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Ndryshe, Gazeta Online Reporteri.net raportoi të dielën se si një grup në rrejtin social “Telegram”, me mbi 6400 anëtarë nacionalisë serbë, po paralajmërojnë dhe organizojnë bllokimin e të gjitha pikave kufitare me Kosovën. Aty u bëhet thirrje qytetarëve serb që të organizohen dhe nga data 6 shtator të fillojnë me bllokimin e të gjitha pikave kufitare.

Në këtë grup shkruhet se për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë për t’i bllokuar pikat kufitare me Kosovën do të organizohet transporti nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja dhe Rashka.

Ky grup paralajmëron se veprimet do të ndërmerren deri në siç thuhet në thirrjen e tyre për “largimin përfundimtar të terroristëve të Kurtit nga pjesa veriore e Kosovës në pjesën jugore përtej Ibrit”.

Grupi “Korridor” në Telegram ka kohë që funksionon. Aty përveç që shpërndahen materiale propaganduese dhe nacionaliste serbe kundër Kosovës, jepen edhe njoftime rreth zhvillimeve në veri të Kosovës, me qasje dezinformuese dhe nxitëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për dy ditë me radhë, Rrustem Tetaj, dha dëshmi në…