Paralajmërohen ndëshkime për ata që ndezin goma
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin deri në 100 euro për të gjithë atyre që ndezin goma me 1 Maj, ashtu si dhe në çdo ditë tjetër.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ua uron të gjithë punëtorëve 1 Majin- Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, me shpresë që të avancohet niveli i të drejtave të punëtorëve dhe duke inkurajuar punëtorët për angazhim në mbrojtjen e të drejtave të tyre, të garantuara me ligj. Me këtë rast, MMPH paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, dukuri kjo mjaft e shprehur në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj. “Ndezja e zjarreve dhe në veçanti gomave, për festën e 1 majit, janë veprime që do të ndëshkohen. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht gjoba është 100 euro. MMPH, në arsyetimin se përse nuk duhet ndezur goma, thotë se ndezja e tyre në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore”, është thënë në njoftimin e Ministrisë të udhëhequr nga Albena Reshitaj.
“Ndezja e zjarreve të tilla bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës. Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë. Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar më së shumti fëmijët, ose janë djegur edhe sipërfaqe të tëra me pyje”, thuhet në njoftimin.