Paralajmërohen pasoja për Rusinë, nëse Navalny vdes

19 prill 2021 | 11:53

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Rusinë se do të ketë pasoja, nëse udhëheqësi i opozitës, Aleksei Navalny, vdes në burg.

“Rusia do të mbahet përgjegjëse nga bashkësia ndërkombëtare”, tha këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan.

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian po ashtu shprehën shqetësime për trajtimin e tij.

Mjekët e Navalnyt thonë se “ai do të vdesë brenda pak ditëve të ardhshme” nëse nuk i jepet kujdes urgjent mjekësor për dhimbjen akute të shpinës dhe mpirjen e këmbëve.

Ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar tha se Navalny kërkon vëmendje dhe se ai “nuk do të lejohet të vdesë në burg”.

Navalny, 44 vjeç, kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është burgosur në muajin shkurt, nën disa akuza të vjetra për përvetësim fondesh.

Navalny ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Ai është futur në grevë urie më 31 mars, pasi nuk i është lejuar të takojë ekipin e tij mjekësor.

Mjekët e tij kanë thënë se testet e fundit të gjakut tregojnë se Navalny mund të pësojë dështim të veshkave ose sulm në zemër, në çdo moment./rel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ulpiana e Lipjanit është kampione e Ligës së Parë të…