Paralajmërohen reshje intensive dhe vërshime në këto zona të Shqipërisë
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një njoftimi, ka bërë me dije se prej informaciomeve të marra nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vend priten reshje me intensitet të lartë.
Gjashtë qarqe do të jenë më të rrezikuarat, ndër të cilat Shkodra, Lezha, Durrësi, Tirana, Fieri dhe Vlora.
Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata.
Në qarqet e sipërpërmenduara ndërkaq, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Peleshi ka garantuar gjithsesi se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.
Në gatishmëri, siç është njoftuar, do të jetë edhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i cili ka dalë me një plan masash për të përballuar situatën e keqe të motit që pritet në ditët në vijim në gjithë Shqipërinë.
Sipas njoftimit, nisur nga parashikimi i motit për dy ditët e ardhshme, ku parashikohen reshje, erë e fortë dhe shkarkime atmosferike, OSSH ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës që mund të krijohet në rrjetin elektrik.
Bazuar në planin e masave, janë ngritur grupe pune që do të jenë në gatishmëri të plotë për riparimin e defekteve në kohë reale dhe rikthimin e energjisë sa më shpejt tek abonentët.
Nga ana e drejtorive rajonale të OSSH, janë plotësuar nevojat me bazën e duhur materiale, ndërsa në terren do të jenë të angazhuar rreth 1 mijë e 100 punonjës të organizuar në 220 brigada me 134 mjete transporti në dispozicion për riparimin e defekteve dhe furnizimin normal të konsumatorëve me energji elektrike.
Theksojmë se, grupet e gatishmërisë po monitorojnë 24 orë pa ndërprerje pikat strategjikë të furnizimit me energji elektrike, si dhe institucionet me rëndësi të veçantë, sidomos spitalet, hidrovorët dhe abonentët pa përjashtim.
“OSSH kërkon mirëkuptimin e abonentëve për problemet me furnizimin me energji që mund të shfaqen gjatë këtyre ditëve, por garanton se impenjimi i punonjësve tanë do të jetë maksimal për eliminimin e çdo avarie në rrjet dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët”, vijon njoftimi më tej.
Teksa, për çdo problem me defekt në rrjetin elektrik, apelohet që abonentët mund të kërkojnë informacion në numrat tanë të kontakteve sipas rajoneve.