Paralajmërohet hapja e dy bankave të reja në Kosovë

12 prill 2019 | 14:04

Konkurrenca mes bankave në Kosovë pritet të rritet edhe më gjatë këtij viti. Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka të ndryshme komerciale. Por, numri i tyre pritet të rritet ende.

Në Bankën Qendrore të Kosovës, kanë treguar për “Monitor.al”, se aktualisht dy kërkesa për hapje të bankave të reja janë duke u shqyrtuar.

Edhe dy banka të reja shumë shpejt do të hapen në territorin e Kosovës. Kërkesa e tyre tashmë është duke u shqyrtuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Guvernatori BQK-së, Fehmi Mehmeti, në një deklaratë për “Monitor.al”, ka treguar se aktualisht janë duke u shqyrtuar dy kërkesa për hapje të bankave të reja në Kosovë.

“Aktualisht, kemi dy palë të interesuara, njëra prej të cilave ka aplikuar edhe formalisht për t’u pajisur me licencë, ndërsa tjetra ka filluar procedurat formale para aplikimit për licencë. BQK-ja është e hapur për të mbështetur investimet në sistemin financiar, gjithmonë duke respektuar kërkesat të parapara me legjislacionin në fuqi. Një bankë që ka aplikuar është nga Shqipëria. Është duke u shqyrtuar aplikimi i tyre. Ditëve në vijim do të shihet se çfarë do të bëhet me këtë bankë. Edhe një bankë është nga diaspora. Banka e diasporës, e cila nuk ka aplikuar ende por që kanë shprehur interesim”.

Banka nga Shqipëria është “Credins”, e treta më e madhe në Shqipëri sipas aktiveve.
Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Credins”, ka pohuar për “Monitor”, se “pas 16 viteve eksperience në tregun shqiptar, “Credins Bank”, ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë në 2019-n. “Credins Bank”, zotëron gjithë ekspertizën e nevojshme në burime njerëzore, infrastrukturë, teknologji dhe bashkëpunim me bizneset, individët dhe institucionet, çka na bën konfidentë në suksesin e zgjerimit në rajon. Klientët shqiptarë të “Credins Bank”, që operojnë në Kosovë dhe anasjelltas, do të kenë mjaft përfitime në kohë, kosto dhe marrëdhënie të personalizuara me stafin”, ka pohuar ai.

Mehmeti: Pse ka kërkesa për banka të reja

Guvernatori BQK-së, Fehmi Mehmeti ka pohuar se duke marrë parasysh stabilitetin financiar në vend dhe harmonizimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, e bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, në vazhdimësi ka palë të interesuara për t’u bërë pjesë e sistemit financiar të Kosovës , e në veçanti, sipas tij edhe kërkesa për licencim të bankave.

“Futja e bankave të reja në Kosovë padyshim që e ka rritur konkurrencën. Shkalla e koncentrimit të tri bankave më të mëdha në totalin aseteve të sektorit bankar ka shënuar rënie vazhdimisht. Në shkurt të vitit 2019 ky tregues ka rënë në 57.4 për qind nga 61.0 për qind sa ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë”.

Mehmeti ka thënë se gjithmonë ka hapësirë për licencimin e bankave të reja, mirëpo ai thotë se BQK-ja mbetet e përkushtuar në licencimin e bankave që do të rrisin kualitetin dhe zvogëlojnë kostot e shërbimeve që ato ofrojnë.

“BQK-ja gjithashtu merr parasysh dhe e çmon shumë reputacionin e bankave të interesuara për të operuar në tregun e Kosovës, përvojën dhe historinë e tyre në vendet në të cilat operojnë. Përveç kërkesave tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, reputacioni i bankave të interesuara është një nga faktorët që BQK-ja konsideron gjatë shqyrtimit të aplikacioneve për licencim”.

Mehemti ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj ka vazhduar të jetë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar./Monitor.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roger Federer nuk pendohet se ka dueluar në të njëjtën…