Paralajmërohet hapja e një banke për diasporën në Kosovë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me seli në SHBA, të kryesuar nga Presidenti Nazar Mehmeti, sekretari i përgjithshëm Ismet Smajlisi dhe drejtorin Naim Dedushaj.
Guvernatori Mehmeti falënderoi delegacionin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në SHBA për interesimin e tyre në sistemin financiar në Kosovë dhe i informoi lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin financiar në Republikën e Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar.
“Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti theksoi kontributin e madh që diaspora shqiptare ka dhënë në të kaluarën dhe po vazhdon ta jap për zhvillimin ekonomik të Kosovës, përfshirë këtu nevojën e madhe që të hyrat nga diaspora të transformohen nga konsumi në investime që do kontribuonin direkt në zhvillim ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas këtij njoftimi, në takimin e zhvilluar u diskutua mundësia e investimit në sektorin bankar të Republikës së Kosovës, ku përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës nga SHBA shprehën gatishmërinë për fillimin e procedurave për hapjen e bankës së diasporës në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti mirëpriti një iniciativë të tillë dhe informoi përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare lidhur me kërkesat ligjore të BQK-së për licencimin e një banke.