Paralajmërohet kthimi i kufizimit të lëvizjes dhe ora policore
Kosova ka hyrë në situatën më kritike që nga shfaqja e pandemisë. Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, por edhe rritja e numrit të viktimave ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shqyrtojë miratimin e masave më strikte anti-COVID.
Në kuadër të masave të reja që pritet të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator është paraparë edhe rikthimi i kufizimit të lëvizjes, ndërsa gastronomia të punojë vetëm në ambiente të jashtme dhe me vetëm 70 për qind të hapësirës.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit, e cila sot ka zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se së shpejti do të merren këto masa ekstreme, madje pritet që të hyjë në fuqi edhe ora policore.
Këto janë disa nga masat e paralajmëruara nga OHT-ja pas takimit me ministrin Vitia:
• Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;
• Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;
• Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;
• Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;
• Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;
• Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.
“Për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve me COVID-19, ju lusim t’i respektoni këto dhe masa të tjera që priten të hyjnë në fuqi së shpejti”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit.