Paralajmërohet mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike, reagojnë studiuesit nga Kosova

31 maj 2023 | 11:03

“E kemi marrë me shumë shqetësim paralajmërimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimin e aseteve të saj në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH)”, kështu ka shkruar në reagimin e studiuesve dhe profesorëve të departamentit të Gjuhës Shqipe, Bardh Rugova, Shkumbin Munishi e Rrahman Paçarizi.

Profesorët ka kërkuar që politika të qëndrojë larg ndërhyrjeve politike mbi veprimtarinë kërkimore.

“Ndërhyrja e politikës mbi aktivitetin studimor është tentim për të kontrolluar, “disiplinuar” dhe sunduar mendjet krijuese. E kuptojmë se pushtetet – kudo – nuk e duan mendimtarin e lirë dhe, më me dëshirë, do të kishin dorë mbi ta. Prej këtu kemi edhe termat poshtërues në botën akademike për “mendimtarët” e pushteteve: studiues i oborrit. Studiuesit e oborrit janë tipikë për vendet e diktaturave.”, thuhet në reagimin e profesorëve të Departamentit të Gjuhës Shqipe.

Reagimi i plotë:

REAGIM PËR PARALAJMËRIMIN PËR MBYLLJEN E AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

E kemi marrë me shumë shqetësim paralajmërimin për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimin e aseteve të saj në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH).

Ky veprim është kryer pa miratimin e studiuesve të ASA-s dhe si i tillë përbën ndërhyrje të institucioneve politike mbi veprimtarinë kërkimore.

Ndërhyrja e politikës mbi aktivitetin studimor është tentim për të kontrolluar, “disiplinuar” dhe sunduar mendjet krijuese. E kuptojmë se pushtetet – kudo – nuk e duan mendimtarin e lirë dhe, më me dëshirë, do të kishin dorë mbi ta. Prej këtu kemi edhe termat poshtërues në botën akademike për “mendimtarët” e pushteteve: studiues i oborrit. Studiuesit e oborrit janë tipikë për vendet e diktaturave.

Një mendje e kontrolluar, “e disiplinuar” dhe e sunduar është sterile. Të këtillë e duan shkencën në Shqipëri? Sterile?

Natyrisht, kur bëhen veprime të tilla, politika gjithnjë nxjerr edhe rrëfimin se kjo qenka bërë për të mirë. Sa për informimin e publikut, përmes këtij veprimi janë ndërprerë një varg projektesh të përbashkëta të ASA-s me institucione të tjera, përfshirë Departamentin, të cilin e përfaqësojmë ne.

Urojmë që politika në Shqipëri të reflektojë dhe të largojë duart e saj nga kërkimi studimor dhe mendimi i lirë.

Prof.Dr.Bardh Rugova, Departamenti i Gjuhës Shqipe, UP

Prof. Dr. Shkumbin Munishi, Departamenti i Gjuhës Shqipe, UP

Prof. Dr. Rrahman Paçarizi, Departamenti i Gjuhës Shqipe, UP.

Ky është vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri  për të mbyllur Akademinë e Studimeve Albanologjike duke i dhënë plotfuqi Akademisë së Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë më parë, mediat britanike i bënë jehonë deklaratës…