Paralajmërohet nisja e mbi 1 mijë autobusëve drejt objektit të qeverisë
Ka nisur sot greva dy ditore e transportit publik në vend, ku si rezultat nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndërurban për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit. Teksa janë paralajmëruar edhe masa tjera në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj tha se Qeveria e Kosovës e ka pasur kohën e duhur në dispozicion për të reflektuar për të përmbushur këtë marrëveshje.
Në rast të mungesës së një përgjigjeje nga ana e qeverisë, Kurtishaj paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa të tjerë, duke nisur mbi 1 mijë autobusë drejt objektit të qeverisë.
“Sot ka filluar edhe greva, protesta e të gjithë operatorëve të sektorit rrugor të udhëtarëve. Vlen të theksohet se është një unitet i paparë deri më sot, është një protestë më se legjitime, është një grevë e cila vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar, pas moszbatimit të kësaj marrëveshjeje, pas një dialogu publik-privat”, tha ai.
Ai bëri të ditur se sot pasdite do të takohet këshilli drejtues i shoqatës për të diskutuar për mbarëvajtjen e protestës dhe për të shqyrtuar hapat që do të ndërmarrin ditëve në vijim.
“Këto dy ditët e para do të jetë vetëm grevë në kuptimin që për shkak të pandemisë të mos i dëmtojmë qytetarët. U kërkojmë falje qytetarëve, me keqardhje dhe pa dëshirën tonë është dashur t’i futemi këtij procesi aspak të lehtë dhe aspak të dëshirueshëm. Ndërkaq forma tjetër e protestës do ët shihet ditët në vijim… Është një kërkesë që 1 mijë – 2 mijë autobusë të drejtohen në drejtim të Prishtinës, në drejtim të qeverisë për të protestuar për mospërmbushjen e kësaj marrëveshje”, tha Kurtishaj.
Ai përsëriti edhe njëherë kërkesën e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve për të reflektuar dhe të shikojë mundësitë për përmbushjen e kërkesave të tyre./ KP