Paralajmërohet protestë ndaj komunës së Prishtinës për mosrritjen e pagave për punëtorët teknikë
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka bërë me dije se janë në përgatitje të protestave ndaj Komunës së Prishtinës për shkak të mosrritjes së pagave për punëtorët teknikë.
Përderisa tha se pas presionit të bërë në drejtim të Qeverisë së Kosovës, kanë arritur që të ngritën pagat në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë për punëtorët teknikë. Sipas tij, bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë ka qenë në nivelin e duhur.
“Tani jemi në prag të protestave në raport me komunën e Prishtinës”, ka thënë Azemi për “Ekonomia Online”.
Ai ka thënë se kërkesat që i kanë pasur në raport me Qeverinë e Kosovës, gjegjësisht me Ministrinë e Shëndetësisë, për punëtorët nëpër spitale dhe me Ministrinë e Arsimit, për punëtorët teknikë që punojnë në Universitetin “Hasan Prishtina” janë realizuar ose janë në proces të realizimit.
“Derisa tek punëtorët e spitalit, paga e tyre nga 235 euro tash ka shkuar në 405 euro dhe tek punëtorët e Universitetit të Prishtinës, pasi kemi caktuar datën për të hyrë në grevë kemi takuar zëvendësministrin e Arsimit dhe në fakt jemi dakorduar që kërkesat tona të realizohen. Mendojmë që koeficienti i pagës duhet të jetë 130 euro”, është shprehur Azemi.
Edhe përkundër këtyre, ai u shpreh se nuk janë të kënaqur me realizmin e kërkesave nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke shtuar se ikja e të rinjve po vazhdon.