
Paralajmërohet shtrenjtimi i produkteve të qumështit nëse shtrenjtohet rryma
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës i ka kërkuar Qeverisë që të ndërhyjë për ta ndaluar shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke theksuar se “kjo rritje do ta dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit”.
Kryetari i shoqatës, Gani Durmishi thotë se tashmë po përballen me kosto të larta për ambalazhin, pagat e punëtorëve dhe shpenzime të tjera operative. Ppavarësisht “përpjekjeve për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve”, kjo shoqatë thotë se “një rritje e re e tarifave të energjisë do t’i detyrojë të shtrenjtojnë produktet e qumështit”.
“Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë”, thuhet në reagimin e e kësaj shoqate.
Sipas kësaj shoqate, industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit, andaj ajo kërkon që institucionet “ta parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore”.