Ramadani: Pa maska dhe pa mbajtje të distancës mund të kemi viktima
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Naser Ramadani, ka bërë sërish apel që masat e ndërmarra nga ky institut kundër Covid-19 të respektohen nga qytetarët.
Ramadani ka thënë se nëse nuk respektohen këto masa mund të ketë më shumë viktima nga koronavirusi.
“Kalimi i lirë i kufirit nuk nënkupton rrezikimin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por duke u mbrojtur dhe duke rekomanduar masat, siç janë mbajtja e higjienës dhe distancës. Nëse këto masa nuk ndërmerren, IKShPK-ja do të ndërmarrë masa më rigoroze, deri tek ndalimi i qarkullimit. Kemi menduar se për këto muaj qytetarët kanë kuptuar masat e ndërmarra nga ne”, ka thënë Ramadani, raporton “Epoka e re”.
Më tutje, ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të mësohen me normalitetin e ri, duke kërkuar që të ruhet distanca dhe të bartën maskat. “Pa maska dhe pa mbajtje të distancës ne mund të kemi viktima”.
“Masat e reja flasin për pakujdesi së qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë masat, siç janë përdorimi i maskave dhe mbajtja e distancës. Kjo kërkohet që qytetarët të na ndihmojnë neve”, ka thënë Ramadani.