Parandalimi i aksidenteve rrugore, policia ndërmerr një sërë masash dhe aktivitetesh
Policia në rajonin e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve rrugore, ka ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, po shpërndahen fletushka informuese për drejtuesit e automjeteve dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, të cilat përmbajnë këshilla dhe udhëzime për ngasje të sigurt në kushte dimri.
“Synimi kryesor është ndërgjegjësimi i drejtuesve të automjeteve për rëndësinë e kujdesit të shtuar gjatë ngasjes në rrugë të mbuluara me borë dhe ngrica, për të minimizuar rreziqet dhe aksidentet e mundshme”, ka njoftuar policia.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i përmbahen rregullave të përcaktuara në Ligjin për Sigurinë në Trafik Rrugor, duke treguar kujdes të veçantë në këto kushte atmosferike. Bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm për një ambient të sigurt rrugor.