‘Parandalimi i martesave të hershme’, Kurti takohet me nënkryetarë e zyrtarë komunalë

07 qershor 2024 | 15:38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në mbledhjen me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet me temë qendrore diskutimi “Parandalimi i martesave të hershme”.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti ka thënë se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve të pranishëm, është parandalimi i martesave të hershme. Kjo dukuri, që i prek sidomos vajzat, siç ka thënë kryeministri, pasohet me humbjen e mundësive të tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventualë dhe kësisoj për familje të tëra.

“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grupmoshën 20 deri në 24 vjeç, 31 për qind të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”.

“Krahas institucioneve lokale, të cilat punojnë në mënyrë të vazhdueshme me vajza të cenuara dhe me familjarët e tyre, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u themelua Grupi Punues Ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme. Anëtarët e këtij grupi po vazhdojnë hartimin e një plani të veprimit të qartë dhe ambicioz, për çka u përgëzuan nga kryeministri Kurti”, është thënë në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në anën tjetër, kryeministri ka përmendur faktin se, pavarësisht që ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë, ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës.

“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, citohet të këtë thënë Kurti, duke shprehur mirënjohje edhe për aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e dukurisë së martesave të hershme.

“Në fund, ky takim u cilësua një hap i rëndësishëm në zbatimin e planit të krijuar nga Grupi Punues Ndërinstitucional dhe në angazhimin e akterëve që janë kyçë për mbrojtjen e vajzave, mbrojtjen e të gjithë fëmijëve”,  ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale, të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë…