Parandalohet një rast i kontrabandës në veri
Policia e Kosovës ka bërë me dije se me qëllim të realizimit të detyrave të saj, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) e Drejtorisë Rajonale të Kufirit-Veriu, ka shtuar aktivitetet në parandalim të veprimtarive penale në përgjithësi dhe kontrabandës në veçanti.
Në këtë drejtim, më 24 shkurt rreth orës 03:00, njësitë policore të NjNSh-së, derisa ishin në vëzhgim dhe kontrollim të terrenin në brezin kufitar – Jarinje e Poshtme, kanë vërejtur lëvizje (drita të automjetit) të dyshimta në atë zonë.
“Policia menjëherë ka organizuar një plan taktik me qëllim të ndaljes së atij automjeti. Kështu, në malet e fshatit Bistricë, ka arritur të ndalojë pesë persona të cilët dyshohet se kishin hyrë në territorin e vendit përmes rrugëve ilegale. Ata janë hasur duke tentuar të fusin në vendin tonë një automjet, të ngarkuar në një rimorkio, duke i ikur obligimeve doganore. Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Veriu në koordinim me organet e drejtësisë dhe doganën”, ka njoftuar policia.