Parandalohet një rast i kontrabandës në veri
Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Veriu në vazhdën e kryerjes së detyrave me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit dhe dukurive negative, ka shtuar aktivitetet në parandalim të veprimtarive penale në përgjithësi dhe kontrabandës në veçanti.
Gjatë patrullimit në fshatin Bistricë kanë vërejtur një automjet transportues/kamion me targa vendore i cili ishte duke lëvizur nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë.
Personi i dyshuar posa ka vërejtur njësinë policore e ka braktisur automjetin duke e lënë atë të ndezur, dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Gjatë kontrollit të realizuar në automjet janë gjetur të ngarkuara lëndë drunore të cilat dyshohet se ishin të dedikuara për t’i dërguar në Serbi.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet për procedura të mëtutjeshme hetimore, ndërsa automjeti i përfshirë në rast është dërguar në SPMK – Leposaviq.