Parandalohet një rast i kontrabandës në veri të Kosovës (foto)
Gjatë një kontrolli rutinë, oficerët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, parandaluan tentim kontrabandimi e mallrave përmes autobusit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.
“Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij. Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të pa deklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili. Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4 793 48 euro. Autobusi është dërguar në terminalin doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm. Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.