Paraqitet në seancë të mbyllur dëshmitari i 90-të
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të mërkurën ka filluar dëshminë dëshmitari i 90-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili mban kodin W4422 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar tërësisht në seancë të mbyllur dhe nuk u lexua ndonjë përmbledhje siç ndodhë zakonisht për dëshmitarët e Prokurorisë.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ky dëshmitar është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.
Përpara se të vazhdohet me dëshminë e këtij dëshmitari, gjyqtari Smith kërkoi që të diskutohet për kërkesën e ZPS-së që dëshmitari me kodin W04590 të dëshmojë përmes video-lidhjes.
Në emër të mbrojtjes së të gjithë të akuzuarve, avokatja e Veselit, Ann Rowan tha se nuk kanë kundërshtime që të vazhdohet me video-lidhje me këtë dëshmitar, por sipas saj arsyet e paraqitura në kërkesë nuk përmbushin kriteret përkatëse të Rregullores.
Pasi nuk pati kundërshtime, gjyqtari tha se edhe dëshmia e dëshmitarit W04590 do të dëgjohet përmes video-lidhjes.