Paraqitet rasti i parë këtë vit i gripit të shpezëve “Avian Influenza”
Është paraqitur rasti i parë në këtë vit i Gripit të Shpezëve “Avian Influenza” në fshatin Godancë të Shtimes. Kështu ka bërë me dije Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Pas konfirmimit të prezencës se sëmundjes, gripi i shpezëve ‘Avian Influenza’ në një fermë jokomerciale në Shtime, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 16.11.2023 ka nxjerrë ‘Vendim’ me nr AUV 01/619. Për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Gripi i Shpezëve-Avian Influenza. Zona në perimetër 3 km nga ferma në fshatin Godancë komuna Shtime, shpallet zonë karantine e ndalimit të lëvizjes se shpezëve. Ndërsa zona në perimetër 10 km shpallet zonë nën mbikëqyrje për hulumtim”, ka njoftuar AUV.
AUV menjëherë ka ndërmarrë masat ekzekutive për parandalim të përhapjes së këtij gripi.
“Është bërë asgjësimi i pulave dhe shpezëve tjera në fermën e prekur, dezinfektimi i fermës dhe hapësirave rreth fermës. Ferma është ekonomi familjare (pula të oborrit). Jemi në kontakte me praktikat veterinare, shoqatën fermerëve shpezëtar. Është urdhëruar ngritja e masave vetëmbrojtëse të biosigurisë në ferma. Aktualisht nuk kemi ndonjë rast tjetër të dyshimtë. Rasti është i izoluar është vetëm një fermë e prekur. Sëmundja është prezentë në shumicën e vendeve të BE-së dhe rajon. Në linjë me autoritete e vendeve tjera AUV vendosë masat për parandalim të përhapjes sipas praktikave profesionale ndërkombëtare. Nuk ka asnjë ndalesë sa u përket produkteve të shpezëve”, ka njoftuar AUV.