Paraqitja e fatit tragjik të të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës

04 shkurt 2024 | 20:21

Dr. Rovena Vata – Mikeli: Rreth tragjedisë “DUBRAVA” të autorit Bedri Halimi

PARAQITJA E FATIT TRAGJIK TË TË BURGOSURVE SHQIPTARË NË BURGUN E DUBRAVËS

Në tragjedinë “DUBRAVA”, të Bedri Halimit, përmes gjashtëmbëdhjetë pamjeve, autori paraqet tmerrin që kanë përjetuar të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës më 1999. Okupatori serb në qershor të vitit 1998 i largoi të burgosurit shqiptarë nga burgjet e Kosovës, ndërsa i çoi në burgjet e Serbisë.

Largimi u bë me arsyetimin e mungesës së sigurisë në Kosovë. Ndërkaq, pas një viti, në majin e vitit 1999, nga burgjet e Serbisë, mu në kulmin e pasigurisë, Serbia i mblodhi të burgosurit dhe i solli në burgun e Dubravës, me paramendim të caktuar: për t’i likuiduar të burgosurit shqiptarë, duke provuar në radhë të parë, për t’i vënë në lajthitje forcat e NATO-s.

Autori, duket se është mishëruar me këtë temë, duke biseduar më shumë të burgosur, prandaj edhe ka vendosur që gjërat kryesore, t’i risjellë në formë të dramatizuar për të gjitha ngjarjet e kësaj tragjedie.

Pra, jo rastësisht personazhet i merr nga jeta reale, siç janë: NAIT HASANI, ISTREF HASANI, ENVER DUGOLLI, HAJREDIN HYSENI, ISMET MAHMUTI, XHELAL CANZIBA, NIJAZI KRYEZIU, BISLIM ZOGAJ, NAIM LUSHI, SALI ZARIQI, BESIM ZYMBERI, NASER SHPORTA, BAJRUSH XHEMAJLI, AVNI KLINAKU, AVDI MEHMETI, LIBURN ALIU, SADIK ZEQIRI, FILIP PJETRI, HAQIF ILJAZI, XHEVAT HAZIRI, BEDRI KUKALAJ, SKENDER FERIZI, FRASHËR SHABANI, BESIM ZOGAJ, BILBIL DURAKU, AGIM HULAJ, RASIM SELMANAJ, BLERIM CAMAJ, UKË THAÇI, SELIM LOKAJ, AVDYL JETISHI, RIZA TAHIRUKAJ, HILË KQIRAJ, ENVER BERISHA, GJERGJ KARAQI, AGIM GASHI.

Përmes këtyre personazheve, paraqitet tërë kronologjia e tragjedisë së Dubravës. Pra, përmes këtyre personazheve, demaskohen tendencat serbe, gjoja se këtë tragjedi e bënë forcat e NATO-s. Pastaj, po përmes këtyre personazheve tregohet se Serbia nuk i kishte në grykë të pushkës vetëm të burgosurit politik, por të gjithë shqiptarët pa marrë parasysh se për çka ishin të burgosur.

Gjithashtu, përmes këtyre personazheve real, autori na sjell edhe dëshminë, se Serbia nuk ka zgjedhur për t’i vrarë apo burgosur vetëm shqiptarët e konfesionit mysliman, por ka burgosur e ka vrarë edhe shqiptarë të fesë katolike.

Këtu, jepen dëshmi të pamohueshme, përmes vetë personazheve shqiptare të konfesionit katolik. Kështu paraqiten me mjeshtri ngjarjet si: Largimi i të burgosurve nga Kosova në vitin 1998; Kthimi i të burgosurve në Kosovë më 1999; arritja në burgun e Dubravës; Provokimet në burgun e Dubravës; Bombardimet e NATO-s dhe forcave serbe; Rreshtimi dhe pushkatimet e të burgosurve; Vrasjet e të burgosurve; Kurthi ndaj të burgosurve; Ndihma e të burgosurve; Tubimi te salla e të burgosurve; Të plagosurit dhe largimi i të burgosurve etj..

Gjërat që paraqet autori në këtë Tragjedi, janë trishtuese, por reale, ngase nuk ka mundur autori t’i shmanget realitetit.

Është çështje e shijes së regjisorit, se çfarë do të marrë për ta vënë në skenë nga ato ngjarje të kësaj drame, e që gjithsesi autori i ka kushtuar rëndësi deri në detaje. Gjithsesi edhe kjo dramë, e mbërthen lexuesin, duke e bërë për vete që nga fillimi e deri në fund.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë mësuar të gjitha skuadrat çerekfinaliste të Kupës së Kosovës…